Taksat, Berisha: Premtimet e
Ramës mashtrime, i dyfishoi

Taksat, Berisha: Premtimet e <br />Ramës mashtrime, i dyfishoi
TIRANE - Kryeministri i vendit Sali Berisha tha sot gjatë një vizite në fabrikën e këpucëve FITAL në Bathore, Kamëz se Qeveria brenda 2 javëve do të heqë tërësisht TVSH-në për çdo makineri që importon industria fason. “Kjo vjen në dëgjim të zërit tuaj, që u ngrit pas vendimit të qeverisë që përcaktonte një prag prej 500 mijë euro e sipër për importim të makinerive. Industria fason nuk do të ketë prag dhe ju do të importoni çdo makineri që ju duhet për prodhim dhe ajo do të jetë përfundimisht e përjashtuar nga TVSH”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij, shefi i qeverisë theksoi se nxitja e investimeve dhe punësimit është pasojë e reformave të ndërmarra nga qeveria.

“Unë erdha sot këtu për t’ju informuar gjithashtu, për të informuar drejtuesit e kompanisë, se qeveria do të heqë tërësisht TVSH-në, për çdo makineri që inporton industria fason. Në qoftë se dy javë më parë ne vendosëm heqjen e TVSH-së për makineritë që kushtonin mbi 500 mijë euro, kjo ishte e dobishme për shumë e shumë sipërmarrës dhe industri, por jo për industrinë fason. Ndaj dhe ne dëgjuam zërin e tyre, të cilët u shprehën se kjo masë ne na përjashton. Ne nuk kishim kurrë një qëllim të tillë, përkundrazi, në këtë sektor ku punësohen sot rreth 100 mijë shqiptarë, ne do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar barrën fiskale, për të lehtësuar barrën burokratike, për të ndikuar sa të mundemi më shumë në suksesin tuaj. Ndaj dhe erdha t’ju njoftoj se qeveria, brenda dy javëve, do të vendosë heqjen tërësisht të TVSH, për çdo makineri të industrisë fason. Thirrja ime për autoritetet vendore është; këto lehtësi të qeverisë qendrore t'i konvertoni dhe ju në lehtësi për troje, në lehtësi për magazina dhe çdo lloj lehtësie tjetër, në mënyrë që ne të punësojmë çdo ditë dhe më shumë qytetarë shqiptarë.”, tha Berisha.

Ndërkaq, shefi i qeverisë nuk ka lënë pas edhe akuzat për kryesocialistin Rama. Duke iu referuar debatit për heqjen e taksës së biznesit të vogël, dhe premtimet e Ramës për ta hequr këtë taksë. Berisha tha se Rama nuk i ka mbajtur këto premtime dhe se në kohën kur ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ka dyfishuar taksat.

“Kudo që shkon, zoti Rama harron se çdo qytetar e pyet se cili është Rama i vërtetë dhe cili është hija e Ramës, ky që vjen tek ne dhe na thotë se do t’ju heq taksat është hija, apo Rama që kryetar bashkie i dyfishoi taksat, apo Rama që kryetar bashkie gjobiste me 1 milion lekë, tabelën e emrit tek dera e dyqanit!. Cili është ky që premton, është hija e Ramës apo Rama, i cili mblidhej para kryeministrisë me shallin kuq e zi në qafë dhe protestonte për ligjin me të cilin, i vura "kufirin tek thana", i hoqa të drejtën për të rritur taksat më shumë se 10 për qind, sepse u shndërrua në një abuzues të pa përmbajtur të rritjes së taksave. Me detyroi t'i bëja ligjin, sepse katërfishoi taksën e gjelbërimin, sepse katërfishoi taksën e pastrimit, sepse bizneset e vogla, të cilat sot paguajnë 67 mijë lekë taksë vjetore, në kohën e zotit Rama, u detyruan të paguanin 147 mijë lekë.”, theksoi shefi i qeverisë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?