Njihuni me Inën fotografen me aftësi speciale dhe Joelin, pianistin me sindromën Down (VIDEO)

Në Shqipërinë tonë të vogël përhumbemi mes njerëzish të shumtë e vogëlsirash të përditshme. Po në të njëjtat ecejake enden njerëz të thjeshtë që po ti njohësh kupton se mund të mësosh shumë. E bukura por sidomos e mira gjendet kudo, mjafton te shohim pak përtej asaj që na zënë sytë tanë. Në këtë rrugëtim special këtë kemi bërë edhe ne të “Rreze Dielli” me historitë motivuese të personazheve tanë.

Ina Toska nga Fieri ka bërë të mundur që me ndihmën e nja aparati fotografik të mposhtë vështirësitë që ka në të folur, të ecur e të dëgjuar. Ka 15 vjet që jeta e saj ka ndryshuar, që në momentin e parë që mori një aparat fotografik në dorë. Për të ,një foto ka fuqinë të tejkalojë çdo kufizim. Fotografitë e saj të cilat mbartin mesazhe të veçanta kanë fituar një sërë çmimesh në ekspozita fotografike. Talenti që vihet re pas aftësive speciale të Ina Toskës është i dukshëm dhe vihet re në çdo shkrepje të saj. Ajo ka mbështetës të shumtë dhe në Fier, qytetin ku ajo banon e shohin me admirim. Në një intervistë me babain e saj mësojmë më tepër rreth Inës dhe dashurisë së saj për aparatin fotografik.

"Ina duke qenë person me aftësi ndryshe shkonte në një qendër në qytetin e Fierit dhe donte ti jepte ndihmë fëmijëve të tjerë. Aty i lindi dëshira për të nxjerrë në pah aktivitetet e këtyre fëmijëve. Nga kjo pikëpamje Ina është admiruese ndaj aparatit fotografik. Ina është karakter shumë kërkues, është personazh që atë që e nis nuk mund ta lërë dot në gjysëm. Mund të punojë me orë të tëra deri vonë në darkë vetëm që aktivitetet ti pasqyrojë Brenda ditës. Ina është fokusuar tek fotografimi i personave me aftësi ndryshe. Do që nëpërmjet fotgrafive ndihma ndaj atyre personave të jetë më e madhe. Ne kemi mësuar që Ina kishte problem në të folur, të dëgjuar e në të ecur kur ishte 2 vjeç e gjysëm 3 vjeç. Jemi bërë të fortë dhe e kemi përballuar me shumë sukses", tha babai i Inës për "Rreze Dielli"

Ina Toska, fotgrafe me aftësi speciale

Aftësitë speciale të Inës na treguan edhe një herë se pavarësisht vështirësive pasionet mund të ndiqen e madje mund të kthehen në profesione.

E po kështu si Ina, edhe Joeli, djaloshi 14 vjeçar me sindromën Doën na ka treguar se të kesh një kromozom shtesë nuk të ndalon të ndjekësh ëndrrat. Duart e Joelit prej vitesh tashmë krijojnë ëmbël tinguj nën tastet bardh e zi të pianos. Megjithatë përpara se të ndjekë orët e kursit të pianos Joeli ndjek rregullisht shkollën Bajram Curri aty ku dhe ne kemi shkuar. Mësuesja e tij kujdestare Vjollca Kasa na tregon ecurinë  e tij mësimore.

"Joeli është një fëmijë i këndshëm, shumë i shoqërueshëm me shokët dhe shoqet e klasës. Ata e ndihmojnë vazhdimisht në gjërat që ka nevojë. Është fëmijë shumë i mirë, shumë i mbarë dhe unë jam surprizuar nga mirësjellja e tij. Joeli bën me të mirën që mundet duke u aktivizuar në çdo gjë.",- tha mësuesja kujdestare e Joelit , Vjollca Kasa

Të paturit një nxënës me sindromën Down në klasë është diçka e veçantë edhe për shokët, të cilët shkojnë shumë mirë me Joelin dhe e duan shumë atë.

Në shkollën 9 vjeçare Bajram Curri, krahas mësimit të rregullt, Joeli bën edhe disa orë të veçanta me mësuesen ndihmëse Elda Livani, e cila e ka Joelin një prej nxënësve të saj më të dashur dhe ka krijuar një lidhje të veçantë me të.

"Me Joelin ka një vit e gjysëm që po punoj dhe nuk di ta përshkruaj se sa bukur është. Do durim dhe kohë, por është diçka shumë e bukur. Në fillim nuk kishte shumë dëshirë, por pastaj nëpërmjet lojërave gjërat kanë shkuar shumë mirë dhe Joeli është përmirësuar shumë. Joeli përpiqet shumë të ndihmojë shokët ose ka raste kur ai vetë kërkon ndihmë. Joeli më fal shumë dashuri dhe më jep shumë emocione." u shpreh mësuesja ndihmëse Elda Livani

Në vizitën tonë në shkollë, Joeli po mësonte profesionet e ndryshme. Pas mësimit ai shkon në qendrën Jonatan aty ku së bashku me terapistin e muzikës Andi Ponoçi, i cili veçse i mëson atij pianon, e ka edhe shumë shok.

"Joeli që kur ishte fëmijë ka marrë mësimet e para në piano dhe sot ai vazhdon ta ndjekë kursin po me aq zell sa në fillim. Ne kemi një marrëdhënie edhe miqësore bashkë ku përveç muzikës kur kemi kohë ne diskutojmë me njëri tjetrin dhe themi gjërat që kemi kaluar gjatë ditës.", - tha mësuesi i Joelit Andi Ponoçi

Të jesh me sindromën Down në Shqipëri është një sfidë më vete, por kjo nuk e ka penguar Joelin që të shprehë veten dhe emocionet nëpërmjet tingujve të pianos.

Joel Gërmenji, pianist me sindromën Down

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin