Rivendosja e një pllakate përkujtimore e sulltan Sulejamanit shkaktoi debat në Lezhë dhe më gjerë, duke kërkuar heqjen e saj. Artan Lame shkruan se kjo pllakë kushtumore u zbulua nga Auron Tare në bodrumet e Lezhës. Ajo u vendos përsipër portës së brendshme të hyrjes lindore të Kalasë së Lezhës. Lame shprehet se ajo është vendosur në vendin e gabuar, por është kundër qëndrimet për të hequr atë nga kalaja.
 
“Qëllimi i Ministres Kumbaro për rivendosjen e një copëze historie në vendin e vet, ishte fisnik. Por ajo harroi dy parakushte që duheshin marrë në sy, para se t’i hynte kësaj pune. E parë e punës, vullnetit politik ministror për të rivendosur në vendin e origjinës pllakën kushtimore, duhej t’i ish përgjigjur një vullnet teknicienësh për të përcaktuar se ku kish qenë vendi i origjinës. Mirëpo Instituti i Monumenteve për cdo punë mund të vlejë, përveçse për punë shkence”, shkruan Lame.
 
“E dytë e punës, në Shqipëri ka me dhjetra kala osmane, apo të rindërtuara, apo të meremetuara nga osmanët. Secila prej tyre ka patur pllaka kushtimore për këto rindërtime. E pra sot nuk ka mbijetuar absolutisht asnjëra prej tyre. Të fundmet u shkulën e u zhdukën në mes të viteve ’90. Atëhere si mendonte zonja Ministre se pas këtij bilanci të trishtë, papritur lezhianët do vepronin ndryshe?”
 
Më pas, Lame ironizon duke thënë se, “po bëhet një javë që gjithë patriotët e stadiumeve i janë lëshuar pllakës së Sulejmanit, duke harruar që gjithë grate e tyre çdo pasdite kselhasen e qajnë duke parë telenovelat me Sulejman”.
 
“I janë lëshuar me gjithë pathosin e shpirtit, sikur të jenë të bindur që ditën që do hiqet ajo pllakë, Lezha do lulëzojë e do ndritojë si asnjëherë. Sikur ditën që pllakën do ta bëjmë copë e thërrime, do zhduken vetiu ndërtimet pa leje, do ringrihen muret e rrënuara të kalasë, nuk do vidhen më shtyllat e elektrikut që ndiçonin kalanë, do pastrohet Drini nga pisllëku e qelbësirllëku, do çlirohet vendvarrimi i Gjergjit nga ndërtimet që po i zënë frymën, do restaurohen muret ilire që vazhdojnë të copëtohen për gurë, do hiqen antenat e telefonave që kanë shpartalluar Akrolisin antik, e ç’tu them tjetër”, shkruan ai.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)