KORÇË- Shoferi i autobusit i linjës Korçë-Tiranë është arrestuar pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur me 36 pasagjerë brenda.
Pas denoncimit të qytetarëve, policia ka ndaluar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, mjetin autobus, me drejtues shtetasin A. M, banues në Korçë.
56-vjeçari i është nënshtruar kryerjes së testit të alkoolit dhe ka rezultuar se drejtonte autobusin nën efektin e pijeve alkoolike në masën 0.75 mg/l.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë falënderon qytetarët që besojnë te Policia dhe denoncojnë shkeljet e rregullave të qarkullimit, duke kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
Njëkohësisht, Policia e Shtetit apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.