Tare:Turizmi nënujor ndikim në
ekonomi, mungon legjislacioni

Tare:Turizmi nënujor ndikim në<br />ekonomi, mungon legjislacioni
Pasuritë natyrore dhe historike të bregdetit shqiptar kanë marrë jo rrallë herë vëmendjen e medieve ndërkombëtare.

Së fundmi ishte AP që i dedikoi një reportazh trashëgimisë shqiptare nënujore me titull “Thesaret e fundosura në bregdetin e Shqipërisë”, një histori 2500 vjeçare e cila ka qenë e pa eksploruar.

Po cilat janë mundësitë reale që Shqipëria të zhvilloi turizmin nënujor në vitet e ardhshme?

Sa e vështirë është mbrojtja e tyre përballë plaçkitjes dhe dëmtimit të grabitësve?

Auron Tare, Kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit tregon më shumë për Report Tv rreth thesareve të bregdetit shqiptar dhe masave për mbrojtjen e tyre.

Një reportazh i AP na njohu me  një panoramë të botës nënujore shqiptare duke na shfaqur edhe një histori të lashtë kulturore, ndoshta një pjesë të cilën nuk e njohim, çfarë mund të na thoni për një botë kaq të pasur nënujore  që bregdeti shqiptar ka?

Unë kam bërë një sërë emisionesh për vit për zbulimet e ndryshme të anijeve të predhave të Luftës së Parë Botërore, apo të Dytë Botërore. Në vazhdimësi jam përpjekur të tërheq vëmendjen për pasuritë që ka deti shqiptar si dhe mënyrën për t’i ruajtur por edhe për t’i përdorur në një farë mënyrë në të mirë të turizmit.

Sa të aksesueshme janë ato për vizitorët e huaj dhe ata shqiptarë?

Fatmirësisht pjesa më e madhe nuk është e aksesueshme dhe kjo ka bërë ruajtjen e tyre sepse pas viteve 90 në përgjithësi  ku ka patur mundësi deti Jon është plaçkitur si nga shqiptarët edhe të huajt. Po të shohësh edhe restorante  do të shohësh amfora  në vitrina që janë pjesë e anijeve të mbytura që janë kapur nga peshkatarët po janë gjetur nga publiku që nuk i njeh vlerat e tyre.

Fatkeqësisht është shumë pak e njohur, vlerat që ka ruajtja e këtyre pasurive të jashtëzakonshme sepse jo vetëm kanë një vlerë për Shqipërinë  por së fundi janë pjesë e historisë së  Mesdheut, tregojnë lidhjet e Mesdheut me brigjet shqiptare dhe për këtë arsye janë të rëndësishme për tu studiuar për tu parë dhe për të qenë pjesë e një muzeumi në të ardhme.

Sikurse në shumë vende kanë bërë muzeume me këtë temë edhe pse kanë më pak gjëra se ne. Kemi bërë hapa për të krijuar një muzeum të tillë, hapi i parë është bërë në Ksamil , ku janë mbytur disa anije të flotës shqiptare. Në këtë vend më vonë do të futen edhe gjëra të tjera për të krijuar një vend ku njerëzit mund të shkojnë të mësojnë zhytjen apo të shohin anijet e mbytura.

Por është shumë e rëndësishme sikurse në shumë muzeume si në Stokolm apo në Bodrum të Turqisë  ku disa nga anijet antike janë nxjerrë, janë ruajtur dhe janë prezantuar publikut për të krijuar  një tërheqje të jashtëzakonshme për të gjithë vizitorët që kanë kureshtje.

Sigurisht operacione të tilla janë të kushtueshme, në Shqipëri mungon infrastruktura  për ti nxjerrë , për ti publikuar për ti ruajtur këto anije prandaj deri më sot kemi identifikuar një pjesë të mirë të tyre në kufirin me Greqinë , deri në Vlorë me shpresë se do të kemi kushtet për t’i  gërmuar dhe nxjerrë për publikun e gjerë.


Krahas anijeve të mbytura, cilat janë asetet të tjera  që mund të përmendim që mund të jenë pikë e fortë e këtij turizmi?

Ka formacione gjeografike shumë të bukura të cilat ai që është i pasionuar me zhytjen mund t’i eksplorojë, ka një botë bimore gjallesash shumë interesante, ka fusha të mëdha me posedonia që janë mushkëria e detit i cili ende nuk është i dëmtuar si në shumë vende të tjera të Mesdheut ku posedonia është dëmtuar nga derdhjet e mëdha në det.

Posedonia në Shqipëri ende ruhet në nivel të kënaqshëm cka tregon cilësinë e mirë të ujit të paktë në thellësi.

Në zonën e Karaburunit Sazanit që është një zonë e mbrojtur situata nuk është aq e mirë sa i përket botës shtazore, kryesisht peshqit nga gjuajtjet  e pa ndalueshme është dëmtuar bimësia por edhe peshqit. Si park kombëtar duhet të ishte ruajtur ëka nuk është bërë. Atraksioni shqiptar deri afër Sazanit është shumë interesant, pastaj nis Adriatiku i cili është i vështirë për tu zhytur. Shqipëria e Jugut mund të përfitojë nga turizmi i zhytjeve.


Çfarë mund të gjejnë diçka ndryshe turistët e huaj, çfarë ofron diçka të veçantë ky lloj turizmi?

Së pari është pjesa gjeografike, bota bimore nënujore dhe reliket historike dhe kemi shumë të tilla  të Luftës së Dytë Botërore të cilat edhe pse janë plaçkitur ofrojnë kureshtje për zhytësit . Është një vend i pa eksploruar, zhytësit janë si një lloj klubi që kanë kureshtje për të zbuluar zona të panjohura.

Por ajo çka është e rëndësishme është se këta njerëz janë një kategori që shpenzojnë që i duhen Shqipërisë , që sjellin të ardhura.

Ata shpenzojnë për hotele, për ushqim, janë një kategori që i duhen Shqipërisë. Janë një kontribut i mirë për ekonominë lokale.


Cilat janë mundësitë reale që ky lloj turizmi të promovohet brenda pak vitesh në Shqipëri?

Së pari mungon legjislacioni megjithëse ne si institucion kemi përgatitur një draft për zhytjet. Legjislacioni ka mbetur në Ministrinë Ekonomisë për tu parë me kujdes edhe pse ekspertët në këtë fushë janë të paktë.

Kuadri kryesor është legjislacioni pastaj industria do të jetë aktive për të promovuar këtë pasuri por është e rëndësishme të thuhet se duhet të jemi të kujdesshëm për vendimet që do të merren sepse ashtu si në tokë ku janë dëmtuar shumë pjesë të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë duhet të jemi të kujdesshëm sepse edhe në det mund të dëmtohen shumë pasuritë, prandaj duhet një infrastrukturë mbrojtje për anijet që nuk kanë rrezik dëmtimi, ndërsa për ato që ka rrezik dëmtimi, ato të mos hapen.

Ndoshta në të ardhmen të hapen për publikun e kujdesshëm

Vende të ndryshme kanë një strukturë të fortë mbrojtje për to. Mendoj që duhet një lloj balance për të zhvilluar pjesën turistike por pa rrezikuar atë që kemi.
Ajo që evidentohet në reportazhin e AP  është ekspozimi i kësaj pasurive ndaj plaçkitësve çfarë masash mund të merren

E para Shqipëria duhet të njohë ato që ka e dytë është Ministria e Kulturës e cila është përgjegjëse ligjore që duhet të marrë hapat e duhura në këtë ndërmarrje.

Ne mund të shohim modelet më të mira që kanë bërë vende të tjera, e para është legjislacioni,  e dyta duhet krijuar një kulturë te publiku që të jetë i përgjegjshëm, por duhen marrë masa për ruajtjen e tyre

Një hap mund të jetë përcaktimi i kuadrateve ku nuk lejohet zhytja, por vendosja e pikave gjeografike ku nuk lejohet zhytja mund ti japë frymëmarrje turizmit të zhytjes. Ka modele si Kroacia ku anije të zbuluara i kanë futur në kafaz hekuri, një model tjetër janë vendet skandinave ku vendet e zhytjet janë përgjegjëse për reliket që janë aty.


Ka disa modele që nëse diskutohen mund të gjenden hapësirat më të mirë që Shqipëria të përfitojë.

Sa i përket mbrojtjes a ka Shqipëria kapacitet për t'i mbrojtur këto pasuri?

Edhe i ka edhe nuk i ka, vendi ka roje bregdetare që ka anije moderne dhe nëse bëhet planifikimi në det për zonat që nuk lejohet, roja bregdetare mund ta bëjë shumë mirë. Në Shqipëri nga ana tjetër  nuk ka specialistë  që do të sillnin të dhëna, nuk ka laboratorë.

Edhe në vende të tjera nuk ka laboratorë pasi është një fushë që kushton.

Por me fluksin turistik që ka Shqipëria mund të kthehet në vetëfinancim. Mund të jetë një financim 1milionë euro në fillim por mund të rikthehet ku njerëzit për të vizituar muzeun do të duhet të paguajnë për të parë pasuritë e ekspozuara. Shqipëria është në elitën e kërkimeve të pasurive nënujore por mungon pjesa tjetër.

Prandaj AP e bëri dokumentarin për të na ndërgjegjësuar ne  si publik dhe si institucione që kemi një pasuri të jashtëzakonshme që mund ta përdorim edhe për zhvillimin ekonomik.


A vini re interes nga të huajt për të kryer më tepër zbulime në Shqipëri?

Aksesi ndërkombëtar është i jashtëzakonshëm problemi është bashkimi me pjesën shqiptare.

Sa të interesuar janë studentët shqiptarë për tu angazhuar në këtë pjesë

Fatkeqësisht kemi patur kërkesa nga studentë të huaj dhe shumë pak nga studentë shqiptarë. Pasi është një fushë e vështirë për të siguruar jetesën, është më shumë çështje pasioni

Ky lloj turizmi çfarë do t’i sillte Shqipërisë?
Nga ana promovimit Shqipëria njihet në këtë fushë në elitën botërore të kërkimeve botërore .

 Zbulimet shqiptare janë të mirënjohura, studentë të huaj vijnë për të parë.

Nga përfitimi ekonomik përfitim është pjesë e turizmit, ky lloj turisti vjen shpenzon ky është përfitim i madh ekonomik.


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Scholz: Lufta në Ukrainë mund të zgjasë disa vite

Scholz: Lufta në Ukrainë mund të zgjasë disa vite