Ish-ministrja e Ekonomisë dhe njëherazi deputetja socialiste, Milva Ekonomi e ftuar në studion e Report Tv, u shpreh se tarifa në “Rrugën e Kombit” nuk do ulë aktivitetin tregtar nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. Kjo sepse, sipas saj, Porti i Durrësit ofron tarifat më të ulëta në rajon për shërbimet që ofron. 

“Norma mesatare ditore e qarkullimit në “Rrugën e Kombit” është 4500 automjete. Është një tarifë që vjen nga studime të ngjashme si në vendet e Europës. Vendosja e një tarife të tillë tregon që importet dhe eksportet në Portin e Durrësit nuk do të ulen fare, por do të vazhdojnë të kryhen. 

Porti i Durrësit është një port që ofron shërbime me tarifa më të ulëta se portet në Greqi apo Malin e Zi. Biznesi kosovar e ka njohur konceptin e tarifimit të kësaj rruge që në dhjetor 2016, që do ketë një kosto tjetër në krahasim me atë që kishte më parë”.

Milva Ekonomi, deputete e PS  

Ekonomi tha gjithashtu se do të tariforen edhe akset që lidhin Tiranën me Elbasanin apo dhe Tiranën me Vlorën. “Se kur do të nisin nuk e di, por do të ketë tarifim edhe për akset rrugore që lidhin Tiranën me Elbasanin, Tiranën me Vlorën dhe Sarandën e të gjitha ato rrugë që do të jenë autostrada, të cilat kanë nevojë të mirëmbahen”, u shpreh Ekonomi.