Nëse ky veprim do të kryhej para muajit qershor, tarifa që do të përfitonte përmbarimi do të ishte gjysma, pra 32 mijë lekë. Ministrat teknikë të Drejtësisë dhe Financave, Gazmend Bardhi dhe Helga Vukaj, tashmë të dorëhequr, gjatë kohës që ishin në këto poste, kanë miratuar një udhëzim të përbashkët, i cili hyri në fuqi në qershor. Ky udhëzim në disa raste dyfishon tarifat e shërbimit përmbarimor për shumat mbi 500.000 lekë.
Tarifat e reja
Duke krahasuar tarifat e reja të përmbarimit me ato të vjetra vihet re një rritje e tyre me 33% deri në 117%. Tarifat kanë mbetur të pandryshuara me ato të mëparshme për shumat deri në 500 mijë lekë, por rriten ndjeshëm prej kësaj shume. Kështu për vjeljen e një debie prej 700,000 mijë lekësh, tarifa e përmbarimit është 117% më e lartë.
Gjithashtu për një shumë 10 milionë, tarifa e përmbarimit është rritur me 59%. Në vlera neto, ajo arrin në 700 mijë lekë, nga 440 mijë lekë që ishte me tarifat e vjetra.
Ndërsa për një shumë 30 milionë lekë, tarifa e përmbarimit tani është 57% më e lartë. Nga rreth 1.1 milion lekë që paguhej më parë, tani duhen paguar 1.8 milionë lekë. Për shumën 90 milionë lekë, tarifa përmbarimore është rritur me 33.3%, ndërsa mbi këto shuma, tarifa e re është 3% e shumës së debisë, por jo më e lartë se 15 milionë lekë. Por vlera e tyre vjen e bëhet më e lartë kur, gjatë procesit të faturimit të shërbimit, të shtohet edhe vlera e TVSH-së.
Rrugëdaljet
Individëve në vështirësi për të përmbushur detyrimet e tyre qoftë ndaj bankave apo ndaj subjekteve të tjera ndaj të cilave kanë detyrimin, edhe ligji i mëparshëm, edhe ky aktual që hyri në fuqi në fund të vitit të kaluar, u njeh të drejtën e mungesës së aftësisë paguese, duke hyrë në faliment. Individët, njësoj si biznesi, përzgjedhin një administrator falimenti, i cili, më pas, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore, shpall falimentin dhe nis procesin e likuidimit të pasurive të individit, nëse ai ka.
Debitori, person fizik, ka të drejtë të marrë nga masa e falimentimit minimumin e shpenzimeve të jetesës. Kjo vlerë përcaktohet nga administratori i falimentimit ose ai mbikëqyrës, pas konsultimit me komitetin e kreditorëve ose, kur ky komitet nuk ekziston, me Gjykatën e Falimentimit.
Sipas ligjit të ri të falimentit, shpenzimet e jetesës duhet të përmbushin nevojat bazë të debitorit, fëmijëve të mitur nën përgjegjësinë prindërore ose kujdestarinë e debitorit, përfshirë edhe ata që ndjekin shkollën deri në moshën 25 vjeç, bashkëshorten dhe ish/bashkëshorten, sipas detyrimeve që burojnë nga legjislacioni. Shpenzimet e jetesës nuk mund të jenë më pak se minimumi i përcaktuar nga legjislacioni i përkrahjes sociale.
Paaftësi paguese është gjendja në të cilën një debitor, pavarësisht nëse është person fizik ose juridik, nuk është në gjendje të paguajë borxhet e tij brenda afatit.
Ligji sanksionon se pasi ka filluar procedura e falimentimit, nuk mund të kërkohen pretendime me përmbajtje ekonomike ndaj debitorit.
Tarifa e suksesit
Përveç tarifës së shërbimit përmbarimor, ka edhe një tarifë suksesi, që paguhet në çdo rast nga kreditori, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar nga kreditori dhe Zyrës Përmbarimore. Tarifa e suksesit nuk parapaguhet dhe nuk i ngarkohet debitorit, por, në çdo rast, tarifës së suksesit i ngarkohet TVSH-ja, e cila llogaritet në momentin e pagesës dhe vetëm për atë pjesë të tarifës së suksesit e cila arkëtohet nga përmbaruesi gjyqësor, bazuar në kushtet dhe afatet e përcaktuara në marrëveshje.
Tabela
Ndryshimi i tarifave të përmbarimit
Detyrimi (lekë) Ishte Bëhet
1-100.000 15.000 15.000
101.000-300.000 lekë 22.000 22.000
300.001-500.000 30.000 30.000
500.001-2.00.000 5.6% 10%
2.000.001-5.000.000 4.6% 8%
5.000.001-10.000.000 4.4% 7%
10.000.001-30.000.000 3.8% 6%
30.000.001-90.000.000 3.4%-2.4% 4%
+90.000.000 2.160.000 + 0.1% 3% (deri 15 mln lekë)
Redaksia online
D.T/Shqiptarja.com