Këtë sezon turistik, pushuesit dhe qytetarët në Vlorë do të paguajnë 700 lekë për çadrën në plazhe publike, ndërsa deri vitin e kaluar ka qenë falas. Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës, pas debatesh të forta mes anëtarëve të këshillit.

Projektvendimi mori votat e shumicës së këshilltarëve të majtë, ndërsa opozita votoi kundër. Gjatë votimit u vu re edhe një devijim nga radhët e mazhorancës, pasi një këshilltare socialiste nuk mbështeti qëndrimin e grupit dhe votoi kundër.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike e cilësuan vendimin të paqartë dhe jo transparent për qytetarët, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit të tarifës. Këshilltari i opozitës, Atird Hoxha, kërkoi informacion nëse inventarizimi po bëhet me qëllim favorizimi. Sipas Hoxhës, kryetarja e Bashkisë së Vlorës disponon një hotel në Lungomare, në katin e fundit, dhe për këtë ai shtroi pyetjen nëse para hotelit të kryebashkiakes plazhi do të jetë me pagesë apo pa pagesë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shumicës argumentuan se rritja e çmimit lidhet me kostot e menaxhimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike bregdetare.

Debati për tarifën vjen vetëm dy javë pasi në Këshillin Bashkiak ishte miratuar propozimi i opozitës për një tarifë prej 500 lekësh. Sipas bashkisë, ky çmim nuk mbulonte kostot e shërbimit, ndaj u paraqit një kërkesë e re për ndryshimin e projektvendimit dhe rritjen e tarifës në 700 lekë.

Vetëm një pjesë e vogël e hapësirës do të jetë e disponueshme për qytetarët që duan të vendosin çadrën e tyre, pa paguar asnjë tarifë, ndërsa kryesisht do të mbizotërojnë çadrat e Vlora Invest, kompani sh.a e bashkisë.