TIRANE- Njësia hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës i është drejtuar me një kërkesë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke kërkuar dhënien e autorizimit për hetimin e ish-kryegjyqtarit të Pukës Shtjefën Lleshi.

Pritet që kërkesa, të miratohet shumë shpejt, me qëllim hapjen e dritës jeshile, për hetimin e gjyqtarit. Ndaj Shtjefnit, prokuroria e Tiranës do rregjistrojë hetimet për akuzën e korrupsionit, ndërkohë që tre ditë më parë për këtë çështje, kryeprokurori i Pukës Pëllumb Prençi dhe zyrtarë të tjerë, të kësaj prokurorie dhe gjykatës së Pukës, janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës.

Shtjefën Lleshi, dje është prononcuar për mediat lidhur me këtë çështje, ku ka pohuar se: "Deklaroj këtu publikisht se do të jem i gatshëm të deklaroj për këtë cështje hetimore të filluar tashmë, gjatë gjithë hetimit dhe gjykimit dhe nuk do të largohem për asnjë çast, por do të qëndroj deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit të kësaj çështje dhe zbardhjen e saj deri në fund.

Po kështu unë do të jem përballë çdo akuze të drejtpërdrejtë, apo akuze të përpunuar rëndom qoftë ajo"-tha Lleshi. Kryegjyqtari, kancelarja, sekretarja, dy avokatë, oficeri i policisë gjyqësore dhe prokurori, u kapën nga kamerat e fshehta të “Fiks-Fare”, ku kërkonin 6 milion lekë për ndryshimin e masës së sigurimit ndaj një të arrestuari.   

(eq/sg/shqiptarja.com)