Task Forcë nis hetimet për
shitjen si skrap të TEC-ve

Task Forcë nis hetimet për<br />shitjen si skrap të TEC-ve
TIRANE- Menjëherë pas nisjes së procedimit penal që ka marrë indicie nga video-përgjimi midis Dritan Priftit dhe botuesit Fahri Balliut, Task-Forcë në prokurorinë e Tiranës, ka nisur një hetim të gjerë për të gjitha tenderat e skrapit që ka zhvilluar Ministria e Ekonomisë por edhe ajo e Mbrojtjes.

Në këtë fillim vit, njësia Task-Forcë në Prokurorinë e kryeqytetit, nisi hetimet edhe për procedurat e shitjes për skrap të TEC-it të Vlorës, Kuçovës dhe Cërrikut, si dhe për rafinerinë e naftës në qytetin e Cërrikut, e cila aktualisht është duke u çmontuar.

Pak ditë më parë prokurorët Olsi Dado dhe Elidon Hysenaj, i janë drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës, me anë të së cilës kërkohen të dhëna për ankandet e kryera në fund të vitit 2011, për një seri tenderash për shitje skrapi, dhe konkretisht për objektet e lartpërmendura. Prokurorët e çështjes deklarojnë për "Shqiptarja. com", se hetimi nga ana e njësisë Task-Forcë, kanë nisur menjëherë pas disa kallëzimeve penale të bëra nga kompani, që kanë marrë pjesë në këto tendera dhe sipas tyre janë skualifikuar në mënyrë antiligjore. Hetimi është në fazën e parë, sepse fillimisht priten dosjet e plota për procedurat e zhvillimit të këtyre tenderave me përfitim kolosal për ata që i kanë fituar.

Muaj më parë hetimet kanë nisur dhe për skandalin e ankandit fiktiv për shitjen si skrap të Uzinës së Azotikut të Fierit.

Të njëjtat firma të interesuara dhe specializuara në mbledhjen dhe përpunimin e skrapit në vend, kanë bërë kallëzim penal pranë organit të akuzës edhe për një tender të zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, në fund të vitit që shkoi. Ashu si edhe për Ministrinë e Ekonomisë Energjitikës dhe Transporteve, prokuroria ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes të gjithë dokumentacioni e një ankandi, për pajisjet ushtarake të cilësuara si të nxjerra jashtë përdorimit dhe që janë shitur për skrap. Tenderi është zhvilluar për pajisje ushtarake të kategorizuara si të nxjerra jashtë përdorimit, që u përkasin Forcave Tokësore, Marinës Luftarake Detare, Brigadës Rajonale, Brigadës Logjistike dhe Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Ndryshe nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës, kjo ministri në një kohë rekord, ka vënë në dispozicion të prokurorëve të çështjes, gjithë praktikën e tenderit në fjalë dhe akuza në bashkëpunim me juristë dhe specialistë, po i shqyrton këto materiale.
(Ne foto, fotosekuence nga videopergjimi, Prifti- Balliu)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale

Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale