Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore, Ilir Binaj, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ku në qendër të diskutimeve ishte ecuria e objektivave të Planit të Rritjes (Growth Plan). Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë takimit u diskutua mbi katër objektiva kryesorë që lidhen me forcimin e administrimit tatimor dhe rritjen e përputhshmërisë fiskale.
Një nga pikat kryesore ishte auditimi i individëve të pasur me risk të lartë, bazuar në të dhënat e vetëdeklaruara dhe informacionet e siguruara nga palë të treta. Po ashtu, u diskutua krijimi i regjistrit të aseteve për 10% të totalit të tatimpaguesve, si dhe paraplotësimi i deklaratave të TVSH-së për të gjithë subjektet e TVSH-së dhe deklaratës DIVA për individët deklarues.
Sipas Tatimeve, këto masa synojnë thjeshtimin e procedurave, uljen e barrës administrative dhe rritjen e nivelit të deklarimit korrekt. Në fokus të takimit ishte edhe forcimi i performancës së hetimit të mashtrimit tatimor, si pjesë e reformave që lidhen me standardet europiane dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Administrata Tatimore theksoi se do të vijojë angazhimin për realizimin e objektivave strategjikë dhe avancimin e reformave në sistemin fiskal.
Komente







