Tatimet e reja në Kuvend, ja kush paguan më pak nga 1 janari

Tatimet e reja në Kuvend, ja kush paguan më pak nga 1 janari

Foto ilustruese

Me mbërritjen e projektligjeve të Paketës Fiskale në Kuvend për diskutim, qeveria ka sqaruar edhe arsyet dhe hollësi të tjera rreth tyre. Konkretisht, me ndryshimet që bëhen në tatimin mbi fitimin synohet nxitja e disa sektorëve nëpërmjet lehtësimit të taksave, duke filluar nga biznesi i vogël, agroturizmi dhe kooperativat bujqësore.

Biznesi i vogël

Sikurse është bërë tashmë e ditur, me anë të këtij ligji të ri do të kryhet shkallëzimi i normës së tatimit mbi fitimin. Për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit norma e tatimit mbi fitimin propozohet 5% e fitimit para tatimit, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit mbi fitimin të mbetet 15% e fitimit para tatimit.

Nga 1 prilli 2018 pragu i regjistrimit për TVSH-në pësoi ulje, me synim formalizimin e të gjithë zinxhirit të transaksionit të mallrave, por edhe të shërbimeve, si dhe përfshirjen e subjekteve rishitëse në regjimin e TVSH-së. Por bizneset e vogla duket se ngurojnë për të deklaruar xhiron reale, pasi, nëse kjo xhiro është 7.9 milionë në vit,  biznesi paguan 5% tatim mbi fitimin neto të tij dhe nëse xhiroja e tij do të rritet në 8.1 milionë, ai paguan, jo 5%, por tri herë më shumë: 15% tatim mbi fitimin. Për të shmangur këtë problem, synohet ndryshimi i pragut dhe ngarkesës fiskale të tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël, duke synuar që pragu 8 milionë lekë të rritet në një kufi të arsyeshëm 14 milionë lekë në vit. Ky propozim synon të lehtësojë ngarkesën fiskale për një numër të konsiderueshëm tatimpaguesish, afërsisht 10.800, që aktualisht bëjnë pjesë në kategorinë me të ardhura mbi 8 milionë (biznesi i mesëm) dhe i nënshtrohen shkallës së tatim- fitimit 15%.

Rritja e pragut ka një efekt negativ 420 milionë lekë në grupin e tatimpaguesve që aktualisht tatohen me shkallë tatimi mbi fitimin 15 %. Ndërkohë, ky ndryshim do të ketë efekt pozitiv si rezultat i rritjes së vetëdeklarimit nga tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, të cilët do tatohen me shkallë tatimi 5% edhe për segmentin tatimpaguesve me një qarkullim vjetor prej 8-14 milionë lekësh. Efekti pozitiv i vlerësuar nga ky grup llogaritet në rreth +200 milionë lekë.

Kooperativat

Ky projektligj synon njëkohësisht nxitjen e fermerëve të përfshirë në shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, duke reduktuar edhe këtu normën e tatimit mbi fitimin korporativ nga 15% në 5%. Një sektor bujqësor i kompozuar nga fermerë individualë me ngastra të vogla toke dhe prodhim minimal për treg nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e konsumatorëve dhe, për më tepër, ato të një industrie siç është turizmi. Gjithashtu, është e vështirë që prodhuesit individualë të jenë faktor i rëndësishëm për rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore. Për këto arsye, është e domosdoshme që të rritet shkalla e kooperimit në bujqësi, një ndër format e të cilës janë shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

Reduktimi i normës së tatimit mbi fitimin për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor nga 15% në 5% nuk do të shoqërohet me reduktim të ardhurash në buxhet pasi aktualisht numri i SHBB-ve të regjistruara ka qenë minimal (30 të tilla), ndërkohë që kontributi fiskal në buxhet ka qenë i papërfillshëm. Pritet që rritja e numrit të SHBB-ve dhe e volumit të punës së tyre do të çojë në rritjen e të ardhurave dhe rrjedhimisht edhe të kontributit fiskal.

Agroturizmi

Sektori i agroturizmit do të jetë gjithashtu një ndër prioritetet e vendit, me qëllim zhvillimin e turizmit në zonat rurale, e shoqëruar kjo me nxitjen e prodhimit dhe tregtimit të produkteve lokale të zonës. Parë në këtë këndvështrim, iniciativa e ndërmarrë synon të nxitë krijimin dhe rritjen e këtij biznesi, i cili pritet të ofrojë akomodim, ushqim, çlodhje, argëtim dhe veprimtari të tjera të lidhura me fermën bujqësore.

Projektligji parashikon për këtë kategori biznesesh normë të reduktuar të tatimit mbi fitimin prej 5%. Legjislacioni i fushës së turizmit ka parashikuar agroturizmin si kategori të veçantë të tij, ndërkohë që vendimi i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar kriteret për licensimin e operatorëve “agroturistikë”. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5% për këtë sektor shoqërohet gjithashtu me incentiva lidhur me normën e reduktuar të TVSH-së dhe përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Reduktimi i normës së tatimit mbi fitimin për sektorin e agroturizmit nga 15% në 5% nuk do të shoqërohet me reduktim të ardhurash në buxhet pasi numri i njësive agroturistike është ende minimal dhe pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruara si biznes i vogël.

Transaksioni i tokës

Më tej, qeveria propozon ndryshimin e skemës së tatimit të industrisë së ndërtimit. Ndryshimi i skemës së tatimit të investitorit dhe pronarit të truallit në ndërtim synon që të tatojë në mënyrë të drejtë pronarët e truallit dhe investitorët që operojnë ne fushën e veprimtarive të ndërtimit dhe shitjes së ndërtesave (me destinacion strehimi, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi), në të gjitha rastet kur trualli u transferohet nga pronari i tokës, sipas një kontrate këmbimi të tokës me sipërfaqeve ndërtimi.

Me skemën aktuale investitori ngarkohet me një barrë tatimi e cila nuk i takon të ardhurave faktike nga shitja që ai realizon, (investitori rrit në mënyrë fiktive të ardhurat e veta) çka bie në kundërshtim me parimin e taksimit direkt pasi nuk është investitori ai që ka krijuar fitim nga shitja e pjesës së pronarit, por individi. Ligji aktual i njeh investitorit si shpenzim vlerën e truallit të shkëmbyer me sipërfaqen e ndërtimit, por ky shpenzim kufizohet në koston minimale fiskale të ndërtimit për metër katror, të shpallur për efekt të Entit të Banesave, duke krijuar për investitorin një të ardhur neto (të ardhura – shpenzim) fiktive për pjesën e ndërtimit që investitori e jep në këmbim të truallit.

Amendimi parashikon që këmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate këmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme. Pra, nuk tatohet asnjë nga palët.

Personi fizik

Një ndryshim tjetër ka të bëjë me heqjen e detyrimit për depozitimin e vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimin e fitimit për personin fizik. Aktualisht vendimmarrja për shpërndarjen e fitimit të shoqërisë i përket Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve në shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar apo Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarëve në shoqëritë aksionare. Gjithashtu, heqja e detyrimit për llogaritjen e gjobës prej 10 000 lekësh për çdo muaj vonesë për mosparaqitjen e vendimit të ansamblesë.

Hyrja në fuqi

Të gjitha klauzolat e reja parashikohet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të nenit që ka të bëjë me rritjen e pragut të xhiros për efekt tatimfitimi nga 8 në 14 milionë në vit, që hyn në fuqi në datën 1 janar 2019.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë