"Mua më ka ardhur një fletë gjobe, sipas së cilës duhet të paguaj 100 mijë lekë të reja, pasi nuk paskam pajisur klientët e mi me kuponin tatimor. Kjo nuk është aspak e vërtetë, - na thotë njëri prej bizneseve të Tiranës, fleta e gjobës e të cilit shoqëron këtë shkrim, por nuk po i bëjmë të ditur identitetin, në mënyrë që ai të mos ketë presione. - Ata shkruajnë në fletën e gjobës se kanë bërë kontrolle në biznesin tim në x ditë, por nuk është e vërtetë që inspektorët tatimorë kanë qenë në dyqanin tim. Po sipas tyre, ata paskan vënë re se unë nuk përdor kuponin tatimor dhe paskan vënë edhe fletën e gjobës. Të paktën në syrin tim, as ka ardhur njeri të kontrollojë dhe as ka vënë njeri gjobë. Pikërisht për këtë arsye unë kam bërë ankesë pranë tatimeve, sepse unë për vete nuk e paguaj këtë gjobë. Madje, unë jam i rregullt në dhënien e kuponit dhe kjo mund të vërtetohet fare lehtë me fotokopjet e asaj dite të kuponit tatimor që janë në drejtorinë e tatimeve. Nuk do të pranoj që ta paguaj gjobën", - na shpjegon tregtari, të cilit edhe i ka mbërritur tashmë kjo fletë e gjobës.
(Faksimile e fletës së gjobës të bizneseve që denoncojnë)
Ndëshkimet
Por mësohet se ky nuk është i vetmi rast që i shkon një fletë gjobe, të cilën tregtari në fjalë e kundërshton jo vetëm si të padrejtë, por edhe të pavërtetë. Bizneset e vegjël të Tiranës na thonë se kjo është bërë një metodë pune, pasi tatimorët duan të mbushin arkat e boshatisura. "Po ndodh një situatë absurde, dhe ne nuk dimë se ku të ankohemi. Jemi gjithë këto biznese rreth e rrotull dhe thuajse të gjithëve na ka ardhur nga një fletë gjobë 1 milionëshe (të vjetra). Janë gjoba që ne nuk i dimë se kur na janë vënë, pasi tek dyqani jonë, në momentin që vënë gjobën, duhet të lënë edhe mandatin që e vërteton këtë. Vetëm nëse dalin jashtë dyqanit dhe i presin fletët e gjobës ku të duan. Dhe kjo është absurde, nëse duan ta mbushin arkën e shtetit apo të bashkisë në këtë mënyrë, kjo nuk është e drejtë, pasi ne ndodhemi në një krizë financiare dhe paguajmë çdo detyrim që na takon. Rrezikojmë të falimentojmë", - na thonë tregtarët e pakicës në Tiranë.
KESHILLTARET SOCIALISTE
"Gjobat e padrejta, po falimentojnë biznesin"
Këshilltari socialist në bashkinë e Tiranës, Florian Pullazi, shprehet se gjatë takimeve që ka zhvilluar me biznesin në njësinë bashkiake nr. 2, një nga shqetësimet e ngritura është pikërisht kjo e gjobave. "Me keqardhje konstatojmë se shumë nga këto biznese ishin gjobitur në mënyrë të padrejtë nga administrata tatimore e Tiranes. Këto gjoba po na falimentojnë shprehen bizneset ndërkohe që xhiro ka rënë në mënyrë të ndjeshme çfarë do të bëjmë ne - thonë ato. Ne i bëjmë thirrje administratës tatimore që të ndalojë gjobitjen dhe mos fusë më në vështirësi këto biznese që me të ardhurat e tyre të pakta mbajnë ekonominë e mijëra familjeve. Përkrahje të fuqishme i japin bizneset nismës së PS për heqjen e taksës së biznesit të vogël si një ndihmë dhe lehtësi në këtë krizë ekonomike që ka ardhur nga keq-qeverisja e Sali Berishës. PS është e bindur se biznesi i vogël do përkrahur dhe me heqjen e taksës së biznesit të vogël do të krijohet më shumë hapësirë që këto biznese të marrin frymë lirisht", - na thotë Florian Pullazi, këshilltar i majtë në bashkinë e Tiranës.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)