Tatimpaguesit kanë një proces më të thjeshtë për plotësimin e deklaratave të TVSH-së dhe Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), pasi Administrata Tatimore ka automatizuar paraplotësimin e tyre në sistemin elektronik.

Sipas Administratës Tatimore, paraplotësimi është realizuar për 100% të deklaratave përkatëse, duke përmbushur një nga objektivat e Axhendës së Reformave një vit përpara afatit të përcaktuar, që ishte dhjetori i vitit 2026.

Nga këndvështrimi i tatimpaguesve, ndryshimi synon të ulë kohën që nevojitet për përgatitjen e deklaratave, të reduktojë gabimet njerëzore dhe të kufizojë nevojën për hedhjen manuale të të dhënave që administrata i disponon tashmë.

Në sistem janë paraplotësuar 166,495 deklarata DIVA për vitin 2026, rreth 30.2% më shumë se numri i deklaratave të krahasueshme në prill të vitit 2025. Për TVSH-në, janë paraplotësuar 39,586 deklarata, me një rritje prej 5.6% krahasuar me prillin e një viti më parë.

Paraplotësimi nuk nënkupton se deklarata dorëzohet automatikisht pa ndërhyrjen e tatimpaguesit. Individët dhe bizneset duhet të kontrollojnë të dhënat e vendosura në sistem, të plotësojnë informacionet që mungojnë dhe të korrigjojnë pasaktësitë e mundshme përpara konfirmimit përfundimtar.

Për bizneset, veçanërisht ato me volum të lartë faturash, automatizimi pritet të ulë kostot administrative dhe ngarkesën e punës së financës dhe kontabilitetit. Megjithatë, përfitimi real do të varet nga saktësia e të dhënave që tërhiqen nga sistemet tatimore dhe nga funksionimi pa probleme i platformës elektronike gjatë afateve të deklarimit.

Administrata Tatimore pohon se kjo është pjesë e reformës së modernizimit të shërbimeve elektronike, me synim që deklarimi të kryhet në më pak kohë dhe me më shumë transparencë. Për tatimpaguesit, sfida kryesore mbetet verifikimi i kujdesshëm i informacionit, pasi përgjegjësia ligjore për saktësinë e deklaratës vazhdon t’i takojë personit ose biznesit që e dorëzon atë./Monitor