TIRANE - Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve njoftoi se, pas një hetimi disamujor në subjekte që merren me grumbullimin dhe tregtimin e skrapit, ka mundur të zbulojë një skemë të mashtrimit me TVSH-në nga disa subjekte tregtare.

Drejtoria e Hetimit Tatimor bëri të mundur zbulimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të skemës mashtruese, ku disa subjekte që ushtrojnë këtë lloj veprimtarie (për arsye hetimi nuk jepen emrat e tatimpaguesve) në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë ndërtuar skemën mashtruese të kreditimit të TVSH-së.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Hetimit Tatimor, në datën 30.06.2012 ora 14.00, u bë e mundur ndalimi i shtetasit B. Z. për veprat penale të “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” te parashikuar nga nenet 180 dhe 190 të Kodit Penal.

Materialet ju kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Sarandë. Po kështu nga ana e strukturave të Drejtorisë së Hetimit Tatimor në DPT dhe Drejtoritë e Hetimit Tatimor në rajone po punohet për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe dërgimin e tyre për ndjekje penale në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse.

Nga Drejtoritë Rajonale Tatimore është duke u punuar për llogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore të papaguara nga këto subjekte dhe marrjen e të gjitha masave të parashikuara në ligj për mbledhjen e tyre.

(gk/shqiptarja.com)