Taulant Balla: Reforma, brenda
javës presim Bashën në tryezë

Taulant Balla: Reforma, brenda<br />javës presim Bashën në tryezë
TIRANË -Numri dy i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në A1 Report foli për letrën që kryeministri
Edi Rama i ka drejtuar kreut të PD, Lulzim Basha për tu takuar e për të folur për reformën territoriale.

"Ne duam që ky proces të kryhet me pjesëmarrjen e të gjithë dialogut politik. PD duhet të ushtrojë përgjegjësinë e vet si pjesë e opozitës. Ne duam që kreu i PD brenda javës të jetë pjesë e kësaj tryeze dhe të diskutojmë për këtë reformë,” thotë Balla.
 
Gjatë intervistës së tij, nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Balla flet edhe për kreu e SHISH, Visho Ajazi Lika, për mungesën e certifikatës së sigurisë së tij, si dhe për hapat që do të bëhen nga mazhoranca në ditët në vazhdim për zëvendësimin apo jo të kreut të SHISH.
 
Në fund deputeti socialist, Taulant Balla flet edhe për mosmarrëveshjet pozitë-opozitë në Parlamentin Europian në Strasburg, ku nuk u miratua një deklaratë e përbashkët mes deputetëve që ishin atje. Sipas Ballës, pasi deputetët e PD-së kërkuan kohë për tu njohur me dokumentet erdhën me një deklaratë komplet ndryshme nga ajo për të cilën ishte rënë dakord.
 
INTERVISTA E NENKRYETARIT TE GRUPIT PARLAMENTAR TE PS, TAULANT BALLA

Ta nisim bisedën nga letërkëmbimi i kryeministri Rama drejtuar kreut të PD-së, Lulzim Basha për tu takuar sy më sy. Ndërkohë që kemi edhe përgjigjen e zotit Basha. Është refuzim apo kusht?
Unë mendoj që ftesat që vijnë nga PS, kanë qenë të vazhdueshme dhe në momente të rëndësishme politike. Gjithmonë PS ka qenë e disponueshme për të dialoguar me kundërshtarin politik. Dialogu është i rëndësishëm dhe këtë fakt e shtron Brukseli sa herë që flitet për politikën apo funksionim e Kuvendit. Edhe kjo ftesë është në vijimësinë për të dialoguar me opozitën në mënyrë të veçantë me PD. Kjo bëhet me qëllim për identifikim e problematikave dhe për zgjidhjen e tyre, për realizimin e një reforme të rëndësishme. Reforma territoriale synon ti japë fund çdo abuzimi në territorin e Shqipëri. Vendi ynë ka 385 njësi vendore, aq sa ka Polonia. Shqipëria ka numrin me të madh të njësive vendore në rajonin tonë. Ne synojmë që nëpërmjet këtij procesi dy gjëra të rregullohen menjëherë: Shërbimi ndaj qytetarëve dhe rentabiliteti i investimeve. Me këtë reformë do të kursehen 80 milionë dollarë që do shkojnë për shërbime.
 
Basha thotë Ok, ulemi por kërkon që vendimi të merret me konsensus në seancë?
Më vjen keq që kreu i PD-së nuk është në Kuvend dhe njerëzit e tij të afërt nuk e kanë njoftuar për atë që ka vendosur komisioni. Është ratifikuar shumë qartë mënyra e marrjes së vendimit. Ratifikohet që i gjithë procesi është konsensual. Nuk kemi të bëjmë këtu me diçka që është e pamundur. Gjithë procesi kërkon pjesëmarrjen e opozitës dhe ajo duhet ta ushtrojë këtë gjë.
 
Çfarë është konsensusi. Sepse një deputet i djathtë mund të japë konsensusin por PD është kundër?
Numrat për këtë reformë janë. Kjo reformë kërkon 84 vota dhe ne kemi më shumë se kaq. Nëse do kishim dashur që ta miratonim këtë reformë kjo do të kishte përfunduar me kohë. Janë dhjetëra institucione ndërkombëtare që kanë punuar në Shqipëri për këtë reformë. Ne nuk  po themi që numrat i kemi dhe ta bëjmë defakto një domosdoshmëri që ka Shqipëri. PS është e gatshme të dialogojë për çështje të rëndësisë së veçantë. Kjo reformë bëhet në 20-30 vjet dhe tani ka ardhur ky moment. Kjo reformë është pjesë e një dialogu për një të mirë për vendin. Edhe PD-ja duhet ta shikojë kështu.
 
Nëse ky komunikim në distancë nuk jep rezultat, reforma a do të bëhet apo do bëhet edhe pa votat e PD?
Duam apo s’duam PD është forca kryesore e opozitës dhe ne duam që këto reforma të bëhen në mënyrë konsensuale nga të dy krahët e politikës. Nga njëra anë PS e LSI dhe nga ana tjetër, PD, PDIU dhe PR. Ne duam që ky proces të kryhet me pjesëmarrjen e të gjithë dialogut politik. PD duhet të ushtrojë përgjegjësinë e vet si pjesë e opozitës. Ne duam që kreu i PD brenda javës të jetë pjesë e kësaj tryeze dhe të diskutojmë për këtë reformë. Ne në sondazhet tona na rezulton se pjesa dërmuese e qytetarëve shqiptarë janë pro ndarjes së re administrative.

Si e shikoni qëndrimin e presidentit Bujar Nishani në lidhje me Kuvendin dhe marrëdhëniet e tij për dekretet?
Këtu dua të jap vlerësimet e mia dhe jo ato të grupit parlamentar që përfaqësoj. Në aspektin tim, disa prej veprimeve të Presidentit të Republikës dalin përtej pozicionit të tij Kushtetues. Disa prej qëndrimeve nuk janë reagime ashtu siç duhet t’i ketë kreu i shtetit. Megjithatë, gjithmonë qëndrimi ynë është konstant, bashkëpunues, respektues që ne kemi ndaj presidentit. Presidenti është i detyruar të respektoj vendimet e mazhorancës sa herë që janë Kushtetuese.  
Në republikën parlamentare, organi më rëndësishëm Kushtetues është parlamenti. Një nga momentet e këtij aspekti, shohim dy standarde, kur ka qenë deputet dhe sot president. Në 2010 mazhoranca e atëhershme, Nishani që ishte deputet kundërshtonte kur nuk ishte konsultuar me mazhorancën. Mazhoranca e sotme është e gatshme çdo herë të konsultimet.
E dyta, shpesh qëndrimet e presidentit janë pothuajse njëlloj. Nuk është në integritetin e presidentit që qëndrimet e PD-së të merren dhe të ezaurohen nga presidenti.  Nuk ka konflikt mes mazhorancës dh presidentit. Mazhoranca është e gatshme çdo herë të bashkëpunojë.  
 
Nuk ka konflikt me Presidentin ndërkohë që kjo mazhoranca ka nisur disa sulme, ILDKP dhe disa institucione të tjera si me shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Të marrim ILDKP, përse duhet të kërkonit shkarkimin dhe të merrnit një dekret të propozuar?
Rasti i kreut të IKDKP është një rast kompleks dhe në vetvete ka disa elemente të mosfunksionit. Pse Kuvendi vendosi shkarkimin e kreut? E para është se emërimi ishte bërë në kundërshtim të ligjit, nuk kishte vjetërsinë në punë, mnuk kishte diplomën e duhur etj.  E dyta është çështja që lidhet me pavarësinë.  Sot kur PD është në opozitë, është e pa pranueshme që PD të thotë se institucioni është më i pavarur kur në krye është një ish-zëvendësministre.  Si qenka një institucion më i pavarur kur në krye emërohet një person politik dhe jo një profesioniste.
E dyta, pse Kuvendi votoi një dekret të vjetër. Ai nuk është një dekret i vjetër, por është një dekret i paezauruar. Në ditën që u votua Zana Xhuka, kishte një problem. Kuvendi ka fyer presidentin Republikës. Kush ia jepet Topallit të drejtën që ndërmjet dy dekreteve, të zgjidhte një dekret dhe të hidhte poshtë një dekret tjetër.  Ku thuhet se kur e merr një kandidat nuk duhet të votohet tjetri, në një vend. Atëherë ishte dekreti i Zana Xhukës dhe Shekqlim Ganaj.  Xhuka u zgjodh ndërsa Ganaj jo. Kuveni çfarë bëri. I morëm dy dokumentet, i morën të dy dekretet ia dorëzuam presidentit dhe u futën në Kuvend për votim.

Balla shpjeguat pak më parë impaktin e konfliktit shumicës suaj dhe partisë Demokratike për shkarkimin e zonjës Xhuka. Por ndërkohë një konflikt tjetër i ashpër është ai për një zëvendësim të mundshëm të shefit të SHISH, Visho Ajazi. Keni hequr dorë nga kjo kërkesë apo çfarë ndodh Komisionin Parlamentar të Sigurisë?
Duhet të kemi parasysh faktin që sipas rregullores së Kuvendit dhe jo vetëm, Komisioni i Sigurisë është komisioni përgjegjës në të cilën raportojnë institucionet e sigurisë në vend. Raporton Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Dhe ajo që ka ndodhur nuk është nuk është çështja që mazhoranca në komision ka sulmuar zotërinë në Visho Ajazi, drejtori i SHISH.
 
Kemi deklaratën nga Ministria e Brendshme që thotë se SHISH nuk ka qenë informues, zero informacion për terrorizmin?
Ky nuk është një sulm ndaj SHISH por një fakt. E vërteta është që nga informacioni i vënë në dispozicion nga ministri i Brendshëm edhe për Presidentin rezulton shumë saktë që për vepra penale shumë të dënueshme, sikurse është edhe përdorimi i shpërthimeve me tritol, apo trafikut në tërësi. rezulton që informacionet e SHISH  kanë qenë shumë të pakta dhe aspak domethënëse për e realitetin konstatuar nga Policia e Shtetit. Ka raste kur raporti nga SHISH ka ardhur pas arrestimit të personit nga Policia. sa i vlefshëm është ky informacion, kur ky tashmë më është arrestuar nga policia. Rasti arrestimi në Durrës për trafik armësh.
Një çështje tjetër që në këtë situatë duhet të kuptohet është e domosdoshme. Është e domosdoshme që Shërbimi Informativ Shtetëror në pjesën e detyrimeve që ka është të bashkëpunojë në mënyrë të përditshme me Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo vepër penale tjetër. Ajo që unë them është fakti që në muajt e fundit, në 6 muaj që kur është Tahiri dhe Didi, informacioni nga SHISH është shumë pak dhe jo shumë relevant për sa i përket rëndësisë që ka raportimi. Ajo që unë them sot për herë të parë në një emision televiziv është seanca dëgjimore në komisionin e Sigurisë Kombëtare në raportimin e SHISH. Ka disa elementë. E para: është që Raporti i SHISH është gjithmonë një dokument sekret. Grada ose niveli i sigurisë përcaktohet nga vetë drejtori i këtij institucioni.
U informua Kuvendi ase raporti ka mbërritur me kodin sekret. Që do të thotë se mund ta akseskojë vetëm ata deputet të cilët janë pajisur me certifikatën e sigurisë.
Filloi mbledhja me verifikimin e certifikatave të sigurisë të personave të peronave të pranishëm në seancën dëgjimore. U verifikuan, rezultuan që deputetet e mazhorancës, si të PS dhe LSI, Rama dhe Braho. Rezultoi gjithashtu që 7 deputet nga opozita ishin të pajisur me certifikata sigurie të vlefshme. Një pjesë të deputetëve të PD-së ende nuk ishin të pajisur me certifikata.
Lind e drejta që në një salle ku kërkohet një certifikatë e tillë të verifikohet edhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë. Personat e tjerë që shoqëronin zotin Ajazi. Nga verifikimi rezultoi që vetëm dy prej tyre kishin certifikatë siguri. Ndërkohë që vetë Ajazi në mbledhjen e Sigurisë Kombëtare deklaroi që certifikata në fjalë i kishte mbaruar dikur reth 7 -8 ditë më parë.
 
Atë certifikatë e kishte marrë kur ishte bërë Shef i Shërbimit apo kur ishte bërë këshilltar i Berishës?
Nuk na dha informacion. Certifikatën e sigurisë nuk e firmos shefi i Shërbimit të Sigurisë së Shtetit. Certifikatën e sigurisë e firmos një drejtori tërësisht e ndarë që quhet, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar. Ajo është një drejtori me një drejtor tjetër që nuk ka lidhje me SHISH. Sepse informacioni i klasifikuar nuk lëviz vetëm në SHISH. Nga SHISH vijnë edhe informacion i paklasifikuar. Por autorizimi e informacionit të klasifikuar e jep kjo drejtori. Çdo, kryeministri, një ministër, deputet, anëtar i SHISH, paraqet aplikimin pranë Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar dhe aty merr leje. Dhe ajo që mua me vjen keq është që me deputetët e PD-së, prezent në mbledhje kishte një mirëkuptim. Ti lihet Ajazit të plotësoj dokumentacionin dhe të marrë certifikatës, pasi vetë Ajazi pranoi që i kishte mbaruar certifikata dhe do të zhvillohet seanca dëgjimore.
 
E ka marrë ndërkohë?
Nuk mund të them këtë gjë. Kjo gjë do të tregohet kur ne do të zhvillojmë seancën dëgjimore.
 
Por këtu abuzohet, se Ajazi duhet të informoj edhe vetë, të thotë po, unë ju thirra në komision, nuk e kisha me vete certifikatën me vete, më pas verifikova që më kishte mbaruar. Se kur e merr të renë kjo është një çështje tjetër?
Edhe në këtë rast nuk duhet politizuat shish. Për mua ajo që është më e rënda në gjithë këtë situatë, situata më e rëndë është se një proceduar normale që ndiqe nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ndërhynë dhe do të ju po sulmohen institucionet. Komisioni nuk e ka politizuar çështjen. Për ne është SISH, shumë i rëndësishëm të marrim vesh edhe çfarë ndodh me Shërbimin Informativ Shtetëror. Të marrim sa vish se sa vihet në shërbim të luftës kundër luftës së krimit të organizuar dhe çdo formë trafiku. Sa vihet në shërbim edhe të luftës dhe angazhimit të Shqipërisë në kuadër të përpjekjeve tona në përpjekjet e NATO-s në luftën kundër terrorizmit. Dhe këto janë aspekte shumë të rëndësishme. NUk duhet politizuar fakti tashmë prezent në disa institucione që PD-ja sa herë që një institucion ka probleme funksionale menjëherë kërcen në mbrojtjen e individit dhe jo institucione, tregon që për ta nuk janë të rëndësishme institucionit por individët.
 
Komisioni parlament i sigurisë do ta hetoj punën e SHISH dhe ka disa deklarata nga anëtarët të komisionit se nëse nuk vjen Ajazi, do të shkojmë ne do të hetojmë punën e shërbimit?
Është e domosdoshme raportimi vjetor që SISH ka ndaj komisionit të Sigurisë Kombëtare. Deputetët e shprehur në këtë formë janë thjeshtë në respekt të rregullores së Kuvendit dhe të kushtetutës. Kuvendi është organi më i rëndësishëm në Shqipëri, të gjithë institucionet një herë në vit, raportojnë në Kuvend.
 
Nëse Ajazi nuk merr certifikatën nga drejtoria që është në varësi të kryeministrori çfarë do të bëhet?
Ligji është i qartë,. nuk mund të aksesoj një informacion i klasifikuar nuk mund ta aksesoj një njeri është i pa autorizuar të aksesojë një dokument?
 
Atëherë mund të jetë Drejtor i Shërbimit një njeri që nuk ka akses në dosje e institucionit të tij?
Këtë duhet të votojë zotëria në fjalë, i dyti Presidenti i Republikës.
 
Pra ju i bëni thirrje të jap dorëheqjen nëse nuk merr certifikatën e sigurisë ?
Unë vlerësoj cdo kush në pozicion që mban të respektojë ligjin. Ata që bien në kundërshtim të vihet në zbatim të ligjit.
 
Si funksionin tani Shërbimi tani, kur shefi i tij nuk ka akses në dosje, ose mund të ketë akses dhe ju nuk e dini?
Nëse është i pa certifikuar dhe ka akses në dosje është duke thyer ligjin. Nëse ka autorizuar të tjerë të pajisur me certifikatë kjo duhet parë më tej. Por ajo që dua të them ligji për informacion të klasifikuar është i plotë, i cili shprehet shumë qartë.
Kemi edhe një fakt tjetër që duhet marrë në konsideratë.
Fakti është një urdhër i Sali Berishës, pra i ish-kryeministri të Shqipërisë, i cili thotë që në zbatim të ligjit për informacion të klasifikuar, sipas të cilit për qytetarët për dy ose më shumë nënshtetësi të huaja është e detyrueshme se përveç autorizimit që vjen nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar, të merret një autorizim i tillë edhe nga vendi i tij.
Duhet të bien të gjithë dakord për detyrimet që kanë institucione si vend i NATO-s. Shërbimet tona të inteligjencës janë partnere me ato të NATO-s dhe është e domosdoshme të respektohet ligji.
 
A jeni të kënaqur nga puna e prokurorisë së përgjithshme. Keni denoncuar një sërë dosjesh si shumicë, kam parasysh ato kryesish nga ato të Ministrisë së Mbrojtjes. Çfarë informacion keni, po çohet para këto dosje?
Unë nuk dua të hedh hije dyshime apo hamendësime lidhur me detyrimin që ka Prokuroria e Përgjithshme për hetimin e thellësishëm të kallëzimeve penale që janë sot në prokurori. Për publikun mbahen mend 3 kallëzime, përkundjet Imamit, është pjesë e një hetimi. Është edhe ish-ministri Ksera. Ka edhe kallëzime të tjera penale ku nivele të caktuara, zyrtarë të lartë, ish-zëvendësministra apo drejtorë të Përgjithshëm. Rasti i kallëzimit të bërë nga Ministria e Brendshme për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në ngarkim edhe të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. Në tërësinë e tyre numri është shumë i madh i kallëzimeve penale për korrupsion për shpërdorim detyre dhe vepra të tjera të klasifikuara në kapitullin shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit . Ajo që është shqetësuese në vlerësimin tim është fakti që prokuroria në Shqipëri ecën me ritme shumë të ngadalta megjithëse stafi në dispozicion është tejet i mjaftueshme për të hetuar .
 
Hetim i ngadalshëm për arsye të mos aftësisë profesionale apo për shkak të politizimit të saj?
Unë nuk dua sot të nxjerr përfundime mbi këtë. Ka mbaruar kohë kur në ngarkim të Prokurorit të Përgjithshëm, hidheshin akuza monstruoze madje dhe fyerje që do të kishte turp çdo rrugë dhe lagje ti dëgjojë. Fyerjet e ish-kryeministrit kundrejt Ina Ramës. janë fyerje të turpshme që i kanë bërë dëm institucionit. por sot që në krye të institucionit është një tjetër, është se Prokuroria e Përgjithshme është shumë e ngadaltë dhe besimin ndaj saj nuk është aty ku duhet të jetë në këto përpjekje që Shqipëria në luftën kundër korrupsionit.
Duhet të jeni të bindur që akuzat ndaj Imamit, si ish-ministër i Mbrojtjes dhe dokumentacionit referuar prokurorisë është shumë i plotë. Ka ardhur nga një proces auditimi shumë profesional dhe të paanshëm. Unë përsëri edhe pas ngadalësisë së shpejtësisë së punës së Prokurorisë së Përgjithshme besoj dhe jam i bindur, se për një kohë të shkurtër prokuroria dhe institucionet në varësi të saj, çdo ti referojë materialet gjykatës për fillimin e një procesi gjyqësor pas një procesi hetimor. Të jeni të bindur që veprat të korrupsionit, të shpërdorimit të detyrës, të shkeljes së barazitë në tenderë, janë vepra të kudo gjendur në dosje të kudo gjendura në dosje t referuara në prokurori. prokuroria nuk duhet të bëjë arkivën e këtyre dosjeve por duhet të mbylli sa më shpejtë procesin hetimor dhe të respektoj Kushtetutën e vendit për t’ia dërguar materialin përkatës në ngarkim të kujtdo qoftë në gjykatë për të dhënë drejtësinë dhe për të gjykuar fajësinë për çdo politikan.
Duhet domosdoshmërish ta ndaj përfundimisht historinë 22 vjeçare të mos ndëshkimit të politikanit. të jeni të sigurt që korrupsioni në ministrin gjendet në dosje. Prokuroria duhet të bëjë detyrën në mënyrë të paanshme.

Javë më parë delegacioni i parlamentit shqiptar me përbërje të barabartë pozitë-opozitë ishte në Strasburg. Gjithnjë në këto takime ka pasur një deklaratë të përbashkët. Po këtë pse nuk ka pasur?
Si gjithmonë, kujtojmë që në vitet e shkuara nuk ka pasur deklaratë fare. I vetmi moment ka qenë deklarata e Përbashkët në vjeshtën e shkuar në Tiranë. Në këtë deklaratë ne, PS pranuam të gjitha kërkesat e PD për tu vendosur në deklaratë. Pra, është një draft deklaratë që përgatit nga sekretariati nga PPE, ne e pranuam atë si të tillë, në një moment të caktuar erdhën përfaqësuesit e PD-së dhe sollën disa amendamente dhe thamë: jemi krejtësisht dakord. Ju mirëpresim.
 
Në takimi e fundit pse nuk u arrit, cila ishte pika që ju ndau ?
Përsëri sekretariati i Parlamentit Europian në komunikime edhe me zyrën e Komisionerit për Zgjerim, kishim përgatitur një draft që adresonte të gjithë problematikat në vend. Adresonte çështjen e dialogut, adresonte çështjen e një funksioni normal të Kuvendit, dhe i bënte thirrje partive të hiqnin dorë nga bllokimi i punimeve të Kuvendit, i bënte thirrje mazhorancës për adresimin më të shpejtë të gjykatës kushtetuese për nëpunësin civil, gjithashtu edhe bëtë thirrje për intensifikimin e krimit.
Për ne ky dokument ishte i gjithë pranuar. Vjen një moment kur përfaqësuesit e PD-së thonë jo, në fillim sollën nuk ishin njohur më parë me dokumentin, më pas duam kohë për amendamente u shty koha për paraqitjen e amendamenteve. Pastaj erdhën me një deklaratë krejtësisht të re, tek e cila me një pjesë të deputetëve, ramë dakord që nuk ishte një deklaratë për tu referuar në PPE, por për të lexuar zëdhënësja e PD-së në konferencë për shtyp.
Me një lloj deklarate të këtij karakteri nuk mund të pretendosh të marrësh dakordësinë, qoftë ajo e deputetëve të opozitës apo të deputetëve të mazhorancës. Megjithatë, ne me gatishmërinë tonë për dialog, i morëm të gjitha amendamentet një për një dhe ramë dakord për një pjesë të tyre. Prandaj patëm një deklaratë të pjesshme. Edhe sot që flasim, ne jemi duke punuar për të arritur një tekst të dakordësuar ndërmjet palëve me qëllimin e vetëm që nga Shqipëria për Parlamentin Europian të mos ketë një ngërç. I kemi bërë thirrje që palës tjetër të mos kemi deklarata normative por të kthehemi në një dekoratë parimore. Kur bëhet fjalë që Kuvendi i Shqipërisë të ushtrojë autoritetin e vet, Kuvendi i Shqipërisë e ka shumë të thjeshtë të miratojë deklarata, të thotë “i bëjmë thirrje qeverisë të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese’, dhe nuk ka nevojë jo për këtë jo për atë.
Kur bëhet fjalë për thellim të luftës për krimin e organizuar, bëhet fjalë që parlamenti të ushtrojë autoritetin monitorues kundrejt qeverisë. Në këtë aspekt ne jeni të gjithë të gatshëm që ato rezultate pozitive që qeveria jonë e re ka arritur në luftën kundër krimit të organizuar, rezultat tërësisht pozitive që do të thellohen edhe në të ardhmen.

Referuar seancës së javës së kaluar të Kuvendit me fyerje, a mendoni se nuk ka qenë momenti i duhur ftesa për dialog?
Kisha besuar dhe mendoja që zgjedhjet e 23 qershorit do të mbyllnin kapitullin e gjuhës në Kuvendin, që është e vetëm të një personi. Ai që thyen çdo lloj morali njerëzor në gjuhën që përdor në Kuvend. Edhe ne mund të përdorim në raste denoncimesh emra familjarësh, por kjo nuk është mungesë etike në parlamenti. Por zotësia në fjalë sheh ëndrra të këqija natën për shkak të problemeve mendore që mund të ketë në gjithë këto vite.
Fjalët e Sali Berisha në Kuvend janë fyese për çdo qytetar shqiptar, dhe jo më për anëtarët e Kuvendit. Unë e thash pak më parë, PD-ja duhet të kishte shpëtuar pas 23 qershorit. Ajo ishte një fitore për të gjithë. Ishte një fitore për forcat progresiste në vend, por edhe PD duhet ta kishte lexuar fitoren e forcave progresiste për të marrë drejtimin vendit dhe për ta kthyer qeverisjen në funksion të qytetarëve.
Edhe PD duhet ta kishte lexuar humbjen e 23 qershorit si një ndasi me të shkuarën 23-vjeçare. Sot jetojmë një moment që kemi partinë më të rëndësishme në vend me dy koka. Kryetari de jure, dhe kryetari de fakto. Kryetari de jure zoti Basha, dhe kryetari de fakto Sali Berisha.
Basha ka pamundësinë për të qenë në Kuvend sepse nuk është deputet, gjithë drejtimin dhe gjithë zëdhënien e grupit parlamentar i PD-së e bën Berisha. Merrni krahasoni procesverbalin e Kuvendit dhe të shihni kush është deputeti dhe ka folur më shumë në Kuvend. Ai që abuzon me kohën që i vihet në dispozicion është zoti Berisha.
Krahasoni kohën e Berishës me atë të Palokës, kryetarit të grupit dhe kryetarit de fakto të PD. Shikoni pastaj gjuhën e tij. Ai është një njëri i papërgjegjshëm, një njëri që bën që nënat në Shqipëri të largojnë fëmijët nga televizionit, sa herë shfaqet para kamerave.
Ne politikisht aspak nuk na bën dëm gjuha e tij por na vjen keq për kundërshtarin politik, gjuha e tij aspak etike kundrejt kujto që i del përball është një dëm i madhe për cilësinë e parlamentarizmit shqiptarë.
Nëse duam të në parlamentarizmin shqiptarë të ketë parlamentarizëm normal duhet të respektohet rregullorja. Jemi pezulluar nga Kuvendi i Shqipërisë nga parlamenti që drejtohej nga Jozefina Topalli për akuza për korrupsioni dhe të mos pezullohet Sali Berisha për gjuhën fyese.
 
Ju si grupi i PS-së ia keni kërkuar kreut të Parlementit këtë?
Po edhe këtë duhet të bëjmë ne, të paraqesim një shkresë formale në zbatim te rregullores për kundrejt deputetit në fjalë dhe pastaj do t’i drejtohet OKB-së dhe çdo institucioni tjetër se këtu po e dhunojnë kreun de fakto të opozitës. Këtë duhet ta bëjë vetë PD-ja.
Për fat të keq PD nuk e bënë këtë gjë, për fat të keq, zotëria i zgjedhur si kryetar i PD është vetëm kryetar de juro, se kryetari de fakto quhet përsëri Sali Berisha. 23 qershorin nuk e kanë lexuar akoma ata funksionarët e PD por të jeni të sigurt që anëtarët e thjeshtë.
Ajo që do t’i kujtoj sot deputetit të PD, që e kemi miratuar bashkë në parlament, është heqja dorë nga qëndrimet obstruksioniste dhe bllokuese. Opozita dhe PD nuk e kryen rolin që duhet në demokraci me atë sjellje. Opozita është një institucion i lirisë. Nuk je më i lirë se në opozitë. Çohu dhe fol për problemet që kanë qytetarët! Çohu dhe fol për problemet që ka krimi korruptoni e gjithçka tjetër. Ndërkohë çohet një njëri që nuk thotë asgjë, shan kryeministrin, shan deputetët, i merr ata me vete ikin nga Kuvendi. Kjo është opozita që ka nevojë Shqipëria sot?! Është për ta ardhur keq që PD sot po humb rolin e opozitës, duhet forca të tjera të vogla që të ushtrojnë rolin e opozitës.
 
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie