Qytetarët shqiptarë, të cilët mbetën në bllokuar në aeroportin e Brindisit pasi devijimit të fluturimit, kanë mbërritur me traget mëngjesin e së enjtes në Portin e Vlorës.

Lajmin e ka bërë me dije deputeti socialist, Taulant Balla përmes një postimi në rrjetet sociale, ku dhe i bëri thirrje kompanisë Wizz Air, me të cilët qytetarët shqiptarë po udhëtonin, që të respektojë të drejtat e pasagjerit.

“Bashkatdhetarët të cilët mbetën të bllokuar në aeroportin e Brindisit kanë mbërritur sot në mëngjes në Portin e Vlorës. E përsëris edhe një herë thirrjen për Kompaninë Wizz Air të respektojë siç duhet të Drejtat e Pasagjerit!!!”, shkruan Balla në Facebook.

Ditën e djeshme, në aeroportin e Brindisit në Itali pati kaos. 400 pasagjerë u revoltuan, pasi dy fluturime të Wizz Air që ishin nisur për në Tiranë, devijuan për shkak të motit të keq. Dy avionët, njëri i nisur nga Bolonja dhe tjetri nga Bergamo për në Tiranë, kanë bërë një ulje emergjente në aeroportin e Salentos, ku kanë mbërritur gjatë natës rreth orës 3.

Avionët qëndruan për një kohë të gjatë në hapësirën ajrore shqiptare, në pritje për të kuptuar nëse mund të kryhej ulja në Rinas, por më pas kanë devijuar drejt aeroportit të Brindisit, me karburantin drejt përfundimit.