Zoti Tavo! Tashmë debati për zgjedhjen e Presidentit të ri ka hyrë në etapën më kulmore. Qëndrimi juaj?
Lëvizja Socialiste për Integrim ka një qëndrim konstant për fillimin e procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri, më vonë të diskutohet dhe për gjetjen e një kandidati për këtë post të lartë e të rëndësishëm. Për ne është shumë e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta, ligji dhe të gjendet një figurë për president të vendit, me konsensusin sa më të gjërë të mundshëm të forcave politike. E kemi theksuar dhe herë të tjera që për ne ka më shumë rëndësi procesi se sa emrat. E rëndësishme është që për Presidentin të gjendet një zgjidhje që të jetë në rrugën integrimit e jo zgjidhje për të penguar këtë aspiratë të madhe të shqiptarëve.
Berisha më se njëherë ka deklaruar se President do të jetë një nga figurat më të rëndësishme të PD. Ju do ta votoni një kandidat të ardhur nga lidershipi i PD?
Deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj takimi mes krerëve të partive të mazhorancës qeverisëse, në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Shppresojmë që shumë shpejt do të ketë një takim të tillë, për të patur një ide të qartë në lidhje me qëndrimin e secilit aleat për kandidatin që do të votohet për kreun e ri të shtetit. Pas kësaj LSI do të mbledhë strukturat e veta, forumet e partisë dhe grupin parlamentar për të formuluar qëndrimin politik që do të mbajë në këtë proces. I cili është shumë i rëndësishëm për integrimin e vendit në BE, gjë të cilën e kanë theksuar fort dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Pas takimit Rama-Meta është hamendësuar për një bisedë përtej zgjedhjes së Presidentit. Bëhet fjalë për bashkim votash për kreun e shtetit, ndoshta dhe për një aleancë parazgjedhore...?
Mes Metës dhe Ramës është bërë një takim normal mes liderësh politikë, dhe nuk mund të ngrihet qëndrimi se pas këtij takimi do të ketë patjetër aleancë politike për Presidentin apo për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Eshtë më se normale që politikanët të takohen, madje të hanë dhe dreka e darka, por që nuk është detyrimisht e thënë që të bëjnë patjetër një bashkim votash apo koalicion parazgjedhor.
Por qëndrimet më të fundit tregojnë një afrim mes LSI dhe PS...?
Unë mendoj se në një takim mes dy liderëve politikë bisedat mund të jenë nga të të ndryshmet, dhe ata në mënyrë publike e kanë sqaruar se çfarë kanë biseduar dhe për çfarë janë takuar. Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë se LSI është e gatshme të bashkëpunojë me këdo, me cilëndo parti për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pra jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha ato parti që kanë busull orientuese të tyre integrimin evropian. Ne kemi treguar se, LSI në momente të caktuara e kyçe për fatet e vendit ka sakrifikuar dhe politikisht vetëm e vetëm që të realizohet kjo ëndërr e kahershme e të gjithë shqiptarëve. Prandaj ky është synimi ynë përfundimtar, që të kotribuojmë në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të vendit.
Por ndërkombëtarët, ata që kanë në dorë integrimin e vendit kërkojnë një president konsensual, ndërkohë që kreu i PD Berisha kërkon president nga PD. Ju do e votoni një kandidat të tillë?
Lëvizja Socialiste për Integrim gjithnjë ka qënë në kahun e interesave të vendit dhe asnjëherë kundër këtij interesi. Për momentin interes madhor Shqipëria ka integrimin në Bashkimin Evropian dhe LSI do të punojë fort në këtë drejtim, pasi kemi qënë, jemi dhe do të jemi gjithnjë promotorë të nxitjes së të gjitha aktorëve dhe faktorëve politikë që të punojnë sëbashku për të dhënë një produkt që do të ndihmonte seriozisht Shqipërinë për realizimin e ëndrës më të madhe të shqiptarëve, atë të bashkimit me familjen e madhe evropiane. Ky është interesi i LSI, dhe do të jemi vetëm në krah të atyre forcave dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, që duan integrimin e Shqipërisë në BE.
Kreu i PS Edi Rama disa ditë më parë deklaroi se kryeministri përmes sekserëve të tij ka ofruar para për deputetët socialistë në këmbim të votës për Presidentin. Si e komentoni këtë akuzë?
Kjo është një akuzë shumë e rëndë që mund të bëjë një lider politik ndaj kundërshtarit të tij politik, por dhe ndaj anëtarëve të Parlamentit shqiptar. Mendoj se pas kësaj akuze, dinjiteti i deputetëve në ato momente të deklaratës së Ramës por dhe në momente të tjera është diskutuar shumë. Pra dinjiteti i tyre është vënë shumë në diskutim. Unë nuk mendoj kurrë që një deputet i Parlamentit shqiptar, që përfaqëson popullin në Kuvend, të shitet apo të blihet me para për të dhënë votën e tij. Nëse Rama ka informacione konkrete në lidhje me akuzën që ka bërë, nuk ka nevojë që të kalohet në nivel publiciteti, por të denoncohet dhe të dërgohet në mënyrë ligjore në organet e drejtësisë për ta zbardhur sipas ligjit këtë çështje. Eshtë shumë e rëndë.
(sg/shqiptarja.com)