Një iniciativë e kryebashkiakut të Himarës, Vangjel Tavo për të krijuar një shoqëri tregtare që merr përsipër punët kryesore të bashkisë, ka hapur debate, me opozitën që pretendon se në këtë formë, Tavo do të shmangë Këshillin Bashkiak nga vendimmarrjet madhore.
Sipas dokumentacionit zyrtar të datës 23 janar 2026, shoqëria "HIMARA INVEST" do të funksionojë si një strukturë operacionale nën varësinë e drejtpërdrejtë të Bashkisë, ku kryetari i bashkisë është titullar dhe emëron administratorin.
Me një kapital fillestar simbolik prej 100 lekësh, kompania ka një objekt veprimtarie jashtëzakonisht të gjerë:
Menaxhimin e plazheve, përfshirë shërbimet sezonale dhe mirëmbajtjen.
Infrastrukturën, administrimin e parkimeve publike me pagesë.
Ndërtim dhe rikonstruksion, realizimin e punimeve publike dhe restaurimin e godinave kulturore.
Promovimin lokal, tregtimin e produkteve të zonës si vaji i ullirit dhe mjalti.
Bashkia argumenton se ky model do të sjellë më shumë fleksibilitet në treg, rritje të të ardhurave që do të kthehen në investime për komunitetin dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Nga ana tjetër, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) ka reaguar ashpër përmes një deklarate zyrtare, duke e quajtur nismën një "skemë mafioze". Ndërkohë, këshilltarët bashkiakë të opozitës shtynë mbledhjen e parashikuar për të premten për miratimin e këtij akti, duke ngritur disa shqetësime kryesore:
Mungesa e kontrollit: Ata pretendojnë se administrimi i pasurive po i kalon një individi (Administratorit të SHPK-së) të emëruar nga Kryetari, duke anashkaluar vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak.
Rreziku i tjetërsimit: Sipas PD dhe PBDNJ, kjo kompani mund të shërbejë si "mbulesë" për të dhënë me qira ose për të shitur pronat publike të himariotëve te grupe interesi klienteliste.
Ndërsa projektvendimi kërkon votat e Këshillit Bashkiak, debati mbetet i hapur mbi mënyrën se si do të garantohet transparenca.
Në dokumentet e bëra publike deri më tani, mungon statusi i shoqërisë, dhe nuk mund të kuptohet në këtë fazë nëse administratori dhe kreytari i bashkisë, dy individët e vetëm që drejtojnë “Himara Invest”, do të kenë kompentenca për shitjen e pasurive të paluajtshme, pikë kjo që e kundërshton opozita.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente










