Godina, karburante, apartamente dhe toka bujqësore janë konfiskuar me vendim gjykate, pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit ndaj Saimir Taullaut, dhe personave të lidhur me të.
Vendimi u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbi bazën e ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.
Mes pasurive të konfiskuara janë disa objekte në Lushnjë, përfshirë një godinë ekonomike 2 kate me karburant dhe ambiente shërbimi në lagjen “18 Tetori”, një truall me ndërtesë me vlerë rreth 9.7 milionë lekë, si dhe një godinë e kombinuar 5 kate me karburant në lagjen “Loni Dhamo”, me vlerë mbi 22 milionë lekë.
Po ashtu, është konfiskuar një godinë ekonomike në Plug, një njësi shërbimi 3 kate me rikonstruksion karburanti dhe pikë gazi, si dhe disa toka bujqësore në Savër dhe Karbunarë të Poshtme.
Lista përfshin edhe tre apartamente në Tiranë, dy në zonën e Saukut dhe një në Selitë, me sipërfaqe që variojnë nga 96 deri në 128 metra katrorë.
Prokuroria e Fierit thekson se do të vijojë hetimet dhe veprimet për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se kanë prejardhje nga veprimtari kriminale.
Saimir Taullau, rezulton i dënuar për tregti heroinë në Shqipëri dhe në një vend të Bashkimit Europian. Ai është vëllai i Baki Taullaut, biznesmenit që mbeti i vrarë në 3 Korrik 2005 në qendër të Lushnjës i vrarë nga banda e Aldo Bares.
Sajmir Taullau, ka pasur dhe probleme të mëparshme më hetimin pasuror nga SPAK dhe OFL-ja, por pronat e tij fillimisht u sekuestruan dhe më pas u liruan nga Gjykata e Posaçme.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë
"Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u konfiskuan pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit S.T. dhe personave të lidhur me të.
Kërkesa u bë bazuar në ligjin nr. 10192, datë datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe u pranua nga gjykata. Për rrjedhojë, u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:
1. Pasuria nr. 4/1, z.k. 8572, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, e llojit “Godinë ekonomike 2 kate, karburant dhe ambiente shërbimi;
2. Pasuria nr. 4/2, z.k. 8572, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, e llojit “truall+ndërtesë”, me vlerë 9,724,582 lekë;
3. Pasuria nr. 1/527, z.k. 8572, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, e llojit “Godinë e kombinuar 5 kate + karburant”, me vlerë 22,330,105 lekë;
4. Pasuria nr. 3/1, z.k. 8572, në Plug, Lushnjë, e llojit “godinë ekonomike 1 kt + podrum”, me vlerë 2,297,520 lekë.
5. Pasuria nr. 1/450, z.k. 8572, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, e llojit “njësi shërbimi 3 kate + rikonstruksion karburanti ekzistues + pikë gazi”.
6. Pasuria nr. 104/44, z.k. 3268, në Savër, Lushnjë, e llojit “arë”, me sipërfaqe totale 15.323 m2;
7. Pasuria nr. 857/28, z.k. 2087, në Karbunarë të Poshtme, Lushnjë, e llojit “arë”;
8. Pasuria nr. 151/2+1-10, z.k. 3266, në Sauk, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 128 m2;
9. Pasuria nr. 102/22+1-6, z.k. 3266, në Sauk, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 96.17 m2;
10. Pasuria nr. 104/81+2-21, z.k. 3292, në Selitë, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 105.57 m2.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me prejardhje nga veprimtari kriminale."

Njoftimi për shtyp i Prokurorisë së Fierit
Komente










