TIRANE- Mëngjesin e djeshëm, në ditën e 5-të të arratisë së 7 të burgosurve nga burgu i Drenovës, u arrestuan 2 të fundit që endeshin në malet greke. Qentë pikasën vendodhjen e tyre, në zonën pyjore Artë-Nestoriou, të Kosturit, ku ecnin vetëm natën për të mos rënë në sy. Dje u kap Eduard Lula e Reiz Haxhiraj, ndërsa pardje u arrestua Gëzim Toma. Po të mos ishin arrestuar nga pala greke, në fshatin Eptahor, pranë kufirit, ata do të pajiseshin me dokumente false e do të lëviznin nëpër Greqi. Detajet u dhanë mesditën e djeshme nga Inspektori i Përgjithshëm i Policisë së Greqisë së Veriut, Dimitrios Tsaknaki e Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Maqedonisë Perëndimore, Elias Stefani. Në aksion u përdor njësia Antiterror EAKM dhe oficerët e specializuar, që punuan për identifikimin e gjurmëve, teksa u përdorën edhe qentë e policisë, sëbashku me pajisjet logjistike si kamera termike, dylbitë e natës e helikopter.

Deklarata e oficerëve grekë
Zyrtarët e lartë grekë thanë se “Me arrestimin e tyre u shmang një kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë në vend, pasi ishin individë veçanërisht të rrezikshëm dhe të armatosur me kallashnikovë. Policia ishte në vëzhgim këto 24 orët e fundit, me kërkesë të prokurorëve shqiptarë, ku ngriti postblloqe në pikat kyçe të kufirit greko-shqiptar, teksa kemi angazhuar të gjithë personelin policor në dispozicion të Maqedonisë Perëndimore, forcat speciale EKAM, kamera termike dhe qentë nuhatës”. Sipas oficerëve grekë, 3 shqiptart kishin hyrë në territorin e fshatit malor grek Monopylo, që ndodhet pranë Kastoria Nestorit, ose Kosturit siç njihet në shqip.

Të arratisurit kanë lëvizur natën që të mos të vëreheshin, ndërsa u ndalonin duke përdorur çadra shpine si dhe qëndronin në baraka e kasolle. Pardje pasdite, në orën 18.30, të 3 personat e armatosur ranë në pritën e policisë në zonën pyjore Artë-Nestori, 15 km nga kufiri greko-shqiptar. Kur policia kërkoi të ndalonin, dy prej tyre, të armatosur, drejtuan përpara kallashnikovët e tyre, me qëllim për të hapur zjarr. Policia u përgjigj me zjarr, ku u plagos Toma. Ndërkaq, Reiz Haxhiraj, u arrestua mëngjesin e djeshëm, në një distancë prej rreth 2 km nga pika ku u prangos Toma. Sipas oficerëve grekë, shqiptari u zbulua nga një qen i policisë, i trajnuar. Haxhiraj, i cili ka qenë i dënuar me 13 vjet burg për rrëmbim, ishte i rrethuar nga policia dhe u arrestua, pa bërë asnjë rezistencë edhe pse ishte i armatosur me kallashnikov. Ndërkaq, dje në mëngjes policia identifikoi e arrestoi 31-vjeçarin Eduard Lulo.

Njoftimi i palës shqiptare
Zyrtarisht, dje Policia e Shtetit, mes të tjerave tha dje se “U kapën ndërmjet fshatit Eptahor dhe Krisi, ku ka pasur shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe 3 të arratisurve, ndërsa dy të tjerët kanë arritur t’i shpëtojnë policisë greke. Nisën procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë. Falenderojmë komunitetin për bashkëpunimin, strukturat homologe greke për angazhimin maksimal e bashkëpunimin e shkëlqyer, si dhe çdo punonjës policie.”

Tahiri: Kapitull i ri
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i quajti arrestimet e fundit si fillimin e një kapitulli të ri për policinë.
 Postuar në orën 10.19
 
Rama: U krye
Kryeministri Rama, nuk ngurroi të përgëzonte Tahirin e të tijtë për rezultatin pozitiv të policisë shqiptare
Postuar në orën 10.19
 
 Shkrimi u publikua sot (29.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)