Pavlo Laki është në ditët e fundit të Kreshmës 7 javëshe, që i paraprin kremtimit të Pashkëve, festa më e rëndësishme e kalendarit fetar ortodoks.

Për 22-vjeçarin, student në Inxhinierinë e Ndërtimit, kreshma është bërë tashmë pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Prej tre vitesh ai e mban rregullisht periudhën 40 ditore të heqjes dorë nga çdo ushqim me origjinë shtazore si mishi, bulmeti dhe vezët. Sfida thotë Pavlo më shumë sesa fizike është shpirtërore.

“Më shumë do të thosha që është tundim ajo, sepse kur fillon thua: “çfarë jam duke mbajtur? Çfarë do mbaj? Do më privoj nga shumë gjëra” por nuk janë gjëra jetike. Edhe pjesa që ne mendojmë është i gjithë tundim. Në të vërtetë ajo është një pastrim joni. Vetë kam kreshmuar këto tre vitet e fundit pasi nuk kam qenë në ndienin ose në futje të besimit, megjithëse jam pagëzuar që i vogël”, thotë Pavlo Laki.

Si një periudhë pastrimi shpirtëror, përtej ushqimit, kreshma kërkon edhe të qëndruarit larg veseve dhe mëkateve, duke filluar nga ato që duken si më të voglat.

“Duke qenë se ne jemi natyrë e rëndë si një njerëz, neve një gjë shikojmë, diçka do e diskutojmë tjetrin edhe do merremi me fjalë dhe kjo do të na largojë nga Perëndia. Siç mund të thuhet në ungjill që neve ta duam njëri-tjetrin, këtë duhet të përpiqemi të të marrim që të bëhemi sipas shëmbëlltyrës së Krishtit”, shprehet besimtari.

Vendimi për të nisur këtë përkushtim erdhi në një moment të vështirë të jetës, kur Pavlo ishte vetëm 19 vjeç.

“Momenti që unë zgjodha që të kreshmoj ka qenë pjesa ku kam arritur po themi në pikën më të ulët. Ne si njerëz kemi shumë ulje dhe ngritje. Mund të jetë pjesa kur humb një të afërm ose po themi humbja e një pune që ne kemi ose pasion në zemër. Pika e ulët mund të jetë dhe pjesa që neve lëshojmë veten sepse shumë njerëz e kanë këtë.”, tregon ai.

Megjithatë sfida më e madhe është përtej Kreshmës, por 365 ditëve të vitit.

“Neve nuk duhet të tregohemi fetarë siç thonë shenjtorët, por duhet të tregohemi besimtarë të vërtetë në aspektin që neve mos ta shikojmë themi besimin si një pjesë intelektuale, ta shikojmë nga pjesa e jashtme, por të afrohemi me zemër të hapur edhe të përulur ndaj Perëndisë”, shprehet studenti.

Pashkët ortodokse, që kremtojnë ngjarjen e Krishtit, do të festohen në të gjithë vendin duke nisur me meshën e së shtunës dhe drekën familjare të dielën e 12 prillit.