Të drejtat e grave e vajzave,Kodheli
Në FA tejkalojmë përfaqësimin 15% 

Të drejtat e grave e vajzave,Kodheli<br />Në FA tejkalojmë përfaqësimin 15% 
Forcat e Armatosura do të tejkalojnë nivelin 15% të përfaqsimit të grave e vajzave në radhët e saj. Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Mborjtjes, Mimi Kodheli teksa ka qenë e pranishme në takimin prezantues të projektit “Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar”.

Politikat e ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes për rritjen e përfaqësimit të femrave në FA, shprehen në një sërë dokumentesh strategjikë, ku ne angazhohemi të arrijmë, pse jo dhe të tejkalojmë nivelin prej 15% të përfaqësimit të femrave në FA. Politika e mbajtjes dhe rekrutimit të femrave në radhët e FA, është një ndër prioritetet e mia në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, kjo e evidentuar edhe në përfshirjen personale në fushatën e rekrutimit. Kam inkurajuar vajzat e reja të bëhen pjesë e FA. Procedurat dhe kriteret për përzgjedhjen e oficerëve për ndjekjen e akademive apo kolegjeve ushtarake janë ligjërisht të barabarta dhe sigurojnë të njëjtat mundësi si për femrat dhe për meshkujt ku procedurat e përzgjedhjes bazohen tek merita. Në përputhje me specialitetin, edukimin dhe gradën femrat në Forcat e Armatosura i gjen të emëruara edhe në shumë pozicione të cilat më parë mbaheshin nga meshkujt.7 femra janë në pozicionin e drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm ndërsa një grua kolonele shërben si përfaqësuese ushtarake në përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit.”- u shpreh ministrja Kodheli që përmendi edhe dyfishimin gjatë këtij viti, të numrit të femrave që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e FA-ve.

Kodheli foli për rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila siç u shpreh ajo, riafirmon rolin që gratë luajnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë. “Nuk mund të fitojmë nëse lëmë jashtë loje gjysmën e ekipit. Ajo çka është thelbësore në arritjen e kësaj sfide është ndryshimi i mentalitetit të shoqërisë dhe vullnetit politik, rritja e ndërgjegjësimit të shoqërisë sonë mbi rolin e gruas në shoqëri si dhe fuqizimi i shoqatave të grave.”- tha ministrja Kodheli, e cila vijoi dukë bërë një panoramë të plotë të rolit, përfshirjes dhe përfaqësimit të femrave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.

Kodheli ishte e ftuar në takimin prezantues të projektit “Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar”, qëllimi i të cilit është të sigurojë, mbrojë dhe promovojë të drejtat e grave në vendin tonë.

Objektivi specifik i projektit “Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar”, është fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile dhe garantimi që ato të angazhohen aktivisht për zbatimin dhe forcimin e legjislacionit vendas dhe ndërkombëtar që i referohen të drejtave të grave, të tilla si Rezoluta 1325, rekomandimet e së cilës ministrja Kodheli tha se janë përfshirë edhe në kurrikulat e trajnimit për stërvitjet e paradislokimit për misione të personelit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Projekti “Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar” i “Shoqatës së Grave me Probleme Sociale” dhe “Operation 1325”, mbështetur nga Ambasada e Vendeve të Ulëta, do të zbatohet për një periudhë 18-mujore dhe do të shtrihet në qarqet Korçë, Durrës dhe Elbasan.
 
Në aktivitetin e zhvilluar ishin gjithashtu të pranishëm ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Deëi van de Ëeerd, si dhe përfaqësuese të disa shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të grave në vendin tonë.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Gjithë ditën reshje shiu...në darkë rrebeshe, parashikimi i motit për sot

Gjithë ditën reshje shiu...në darkë rrebeshe, parashikimi i motit për sot