Të drejtat e shqiptarëve në SerbI dhe sfidat në Lugina e Preshevës kanë qenë në qendër të diskutimit në takimin që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Enkel Rexhepi.
Në takimin e përzemërt, Ministri Hoxha theksoi nevojën për adresimin konkret të çështjeve që prekin komunitetin shqiptar, si në nivel lokal, ashtu edhe në forume ndërkombëtare.
Ai vlerësoi rolin e Kamberit, duke nënvizuar se ai mbetet një zë i fortë i shqiptarëve në Parlamentin serb, edhe pse është i vetmi përfaqësues.
Ministri theksoi se qeveria shqiptare po e ndjek me vëmendje situatën e shqiptarëve në Serbi dhe mbetet e angazhuar për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Sipas tij, respektimi i të drejtave, nga identiteti kombëtar, gjuha dhe kultura, te përfaqësimi i drejtë dhe zhvillimi ekonomik, është një element thelbësor që ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Hoxha shtoi se bashkëpunimi me përfaqësuesit shqiptarë në tri komunat dhe me partnerët ndërkombëtarë do të vijojë, me synim adresimin e sfidave dhe garantimin e dinjitetit, barazisë dhe zhvillimit për shqiptarët në Serbi.
Njoftimi i plotë i Ministrit Hoxha
"Një takim i përzemërt sot me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Enkel Rexhepi. Vlerësova rolin përfaqësues dhe kontributin e z. Kamberi, i cili, edhe pse i vetëm, është një zë i fortë i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, si edhe angazhimin e tyre të përbashkët për adresimin e çështjeve që prekin komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, përfshirë edhe në forume ndërkombëtare. Nënvizova vëmendjen e veçantë me të cilën Qeveria shqiptare dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndjekin situatën e shqiptarëve në Serbi, si dhe përkushtimin e palëkundur për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi – përfshirë identitetin kombëtar, gjuhën, kulturën, përfaqësimin e drejtë dhe zhvillimin ekonomik – mbetet një element thelbësor në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë. Do të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë përfaqësuesit zyrtarë të shqiptarëve në tri komunat atje, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të adresuar sfidat me të cilat përballen shqiptarët atje dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të tyre për dinjitet, barazi dhe zhvillim"
Komente







