Të ecim përpara së bashku në rrugën e integrimit në BE

Të ecim përpara së bashku në rrugën e integrimit në BE

Genoveva Ruiz Calavera

2020-a ishte një vit i vështirë - një vit kur qytetarët e Shqipërisë u përballuan me guxim pasojat e një tërmeti shkatërrimtar dhe një pandemi globale.

Bashkimi Evropian qëndroi vendosmërisht pranë qytetarëve të Shqipërisë gjatë këtyre kohëve të vështira. Në konferencën ndërkombëtarë të donatorëve, thirrur nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, BE-ja premtoi mbi 400 milionë euro për rehabilitimin dhe rindërtimin e Shqipërisë. Nga këto, Komisioni Evropian ka vënë ndërkaq në zbatim 115 milionë euro grante për të mbështetur shkollat ​​e prekura dhe trashëgiminë kulturore.

Mbështetja e BE-së përballë pandemisë COVID-19 ka qenë po aq e vendosur që nga fillimi i pandemisë. Për Ballkanin Perëndimor është siguruar një paketë prej 3.3 miliardë eurosh për të ndihmuar për nevojat urgjente shëndetësore dhe për të zbutur pasojat socio-ekonomike, nga të cilat Shqipëria po merr një pjesë të konsiderueshme në mënyra të ndryshme, që shkojnë që nga pajisjet mjekësore dhe mbrojtëse deri te ndihma makro-financiare. Kohët e fundit, u caktuan 70 milionë euro për të mbështetur përhapjen e vaksinave COVID-19 në të gjithë rajonin.

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka marrë 1.25 miliardë euro financime nga BE-ja dhe si partner e mik i vërtetë, BE-ja do të vazhdojë të sigurojë mbështetje për qytetarët shqiptarë. Në buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së, kemi caktuar 9 miliardë euro për një Plan të madh Ekonomik dhe Investimesh për Ballkanin Perëndimor, që Komisioneri Várhelyi e ka prezantuar në rajon gjatë vizitës së tij në tetor 2020, për të forcuar më tej partneritetin tonë të qëndrueshëm me Shqipërinë dhe për të përforcuar potencialin e tij transformues.

Në vitin 2020 Shqipëria ka treguar gjithashtu një vendosmëri të jashtëzakonshme për të vazhduar reformat. Vendimi historik i Këshillit të BE-së i 25 marsit 2020 mbi hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë ishte më se i merituar. Mes reformave kyçe, nuk mund të mos theksoj sa e rëndësishme është reforma në gjyqësor për konsolidimin e shtetit ligjor - jetike për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe një kërkesë themelore e pranimit në BE.

Në kontekstin e kësaj reforme të paprecedentë, procesi i vetingut vazhdoi të jepte rezultate me më shumë se 330 magjistratë të verifikuar në shkallën e parë, nga të cilët më shumë se 60% u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen. Është gjithashtu shumë pozitive që të gjitha organet e reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit u ngritën dhe kanë rezultuar me hetime të nivelit të lartë, duke krijuar një dinamikë të re në përpjekjet e Shqipërisë për të trajtuar krimin dhe korrupsionin. Po ashtu, operacionet e përbashkëta me Shtetet Anëtare të BE-së dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për zbatimin e ligjit kanë vazhduar dhe kanë ndihmuar për çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar. Pavarësia e gjyqësorit është forcuar më tej me funksionimin e mirë dhe të vazhdueshëm të institucioneve të reja të drejtësisë, bazuar në parimet e vetëqeverisjes dhe llogaridhënies. Unë jam, gjithashtu, veçanërisht e kënaqur që Gjykata Kushtetuese ka rifituar funksionalitetin e saj dhe ka nisur seancat dëgjimore për një numër çështjesh thelbësore, duke hapur rrugën për fillimin e negociatave të pranimit.

Është vendimtare që autoritetet dhe qytetarët shqiptarë të vazhdojnë të ecin drejt zbatimit të plotë të reformës në drejtësi, me vendosmëri të përtërirë dhe punë të palodhur. Me çdo hap përpara në reformë, ne i afrohemi një gjyqësori me të vërtetë të pavarur, i aftë të luftojë në mënyrë efektive korrupsionin dhe të sigurojë që askush të mos jetë mbi ligjin.

Emërimet në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese duhet të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë. Duhen miratuar masa efektive për të plotësuar vendet e lira me përparësi të gjyqësorit dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të përparojë me rekrutimin e magjistratëve të rinj. Pengesat për reformën në drejtësi duhet të identifikohen dhe të trajtohen me shpejtësi, në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet e pavarura të drejtësisë, që duhet të marrin burime të mjaftueshme dhe mbështetjen e nevojshme administrative për ta kryer në mënyrë efektive mandatin e tyre. Kjo listë e gjërave që duhen bërë, natyrisht që nuk është shteruese. Sidoqoftë, ajo tregon se na pret shumë punë përpara dhe se mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe autoritetet e tjera të Shqipërisë bie një përgjegjësi e veçantë për të mos humbur kohë.

Më vjen keq që gjatë muajve të fundit, institucionet e vetingut, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe stafi i tij kanë qenë shënjestër e një trysnie të paprecedentë dhe të padrejtë, keqinformimit dhe sulmeve e shpifjeve personale. Kjo po u shkakton shumë dhimbje dhe vuajtje personale atyre që janë më se të përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë. Këto sulme synojnë ta shmangin reformën dhe të dëmtojnë zbatimin e saj të mëtejshëm. Por në vend që ta dobësojnë vendosmërinë tonë, ato na japin një shtysë të përtërirë, pasi ato vërtetojnë se reforma funksionon dhe se rezultatet e saj kanë nisur të prekin interesat personale dhe individët që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga një status quo thellësisht e korruptuar.

Siç deklaroi qartë Komisioneri Várhelyi, reforma në drejtësi dhe vetingu i gjyqësorit në Shqipëri janë absolutisht thelbësore dhe nuk mund të shmangen apo të ngadalësohen, pavarësisht trysnisë. Pajtohem plotësisht me këtë deklaratë të fortë. Si Shefe e ONM-së, mesazhi im ka qenë dhe mbetet: ka vetëm një rrugë - të ecim përpara, së bashku, drejt zbatimit të plotë të reformës në drejtësi, për të mirën e qytetarëve shqiptarë!

Ndërsa nisem drejt një sfide të re profesionale, pas pesë vitesh punë së bashku me partnerët e Ballkanit Perëndimor, krenohem që kam qenë pjesë e këtij udhëtimi. Dëshiroj të përcjell një mesazh lamtumire për qytetarët shqiptarë dhe gjithë homologët në institucionet me të cilët pata kënaqësinë të bashkëpunoj vitet e kaluara, duke ju uruar atyre suksese në ndërtimin e një të ardhmeje evropiane për Shqipërinë.

*Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 01/02/2021 22:57

    Respek per punen tuaj ne krye te ONM-se ne Shqiperi.zj Calavera. Nuk besoj se do i beni lamtumire shqiptarve,,,por bashke me ta do te ndiqni rezultatet e matshme te Reformes ne Drejtesi. Sa per sulmet ne adresen tuaj ,,,,vetem ndeshkimet e merituara te krethemelesve te Shtetit Shqiptar te pas 1990-es,do te deshmojne se ato nuk jane show.

    Përgjigju
  • Populli: 01/02/2021 20:02

    Pse te ardhka keq per dhimbjen tuaj e nuk te ardhka keq per dhimbjen e plot njerezve qe i shkarkuat pa te drejte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja