Receta e parë: Fole me kadaif të mbushur me fruta të thata

Përbërësit:

300 gr kadaif

100 gr arra

100 gr bajame

50 gr rrush i thatë

40 ml liker ose ujë

3 lç sheqer

150 gr gjalp i tretur

Shërbeti:

2 gota sheqer

1 e ½ gotë ujë

2 feta limon

Kanellë ose karafil

Përgatitja:

Kadaifin nuk e copëtojmë por e nxjerrim fije fije duke formuar një kordon të gjatë 30 cm. E lyejmë mirë me gjalp dhe formojmë fole duke rrotulluar kordonin rreth gishtit të madh të dorës. Frutat i spërkatim me 40 ml liker ose ujë. Vendosim foletë në tepsinë me kupta të kekëve të vegjël. Pasi të kemi mbushur kupat, spërkatim frutat e thata me sheqer dhe fillojmë të mbushim foletë. Vendosim tepsinë në furrë në temperaturën 160-170ºC deri sa kadaifi të marrë ngjyrë të verdhë të errët. Ndërkohë përgatisim shërbetin i cili duhet të jetë i plotë. E ftohim shërbetin dhe menjëherë sa të  nxjerrim foletë nga furra i shërbetosim. I lëmë të ftohen dhe kur të jenë ftohur plotësisht i vendosim në kupa letre të kekëve të vegjël.

Ëmbëlsira tejet e shijshme e gatuar nga Zonja Vjollca në pjesën e parë të gatimit kushtoi 550 lekë. Pas telefonatave të shumta në studion e "Rreze Dielli", të cilat janë bërë pjesë e quizit , ishte Dea nga Tirana ajo që ka gjetur vlerën e saktë të kostos së foleve me kadaif të mbushur me fruta të thata. Dea u bë fituese e vlerës 2000 lekë nga rrjeti i supermarketeve Conad.

Fole me kadaif të mbushur me fruta të thata

Receta e dytë: Bërxolla viçi me perime në furrë

Përgatitja:

600 gr bërxolla

4 lç mustardë

Kripë dhe piper i zi

Piper i kuq

Vaj ulliri

400 gr patate

200 gr bamje

200 gr kungull

200 gr patëllxhanë

150 gr karrota

150 gr speca

200 gr domate

2 lugë gjelle vaj bimor

Përgatitja:

Fillimisht marinojmë bërxollat. I spërkatim me pak kripë, mbi çdo bërxollë vendosim nga një lugë kafe të vogël mustardë ose gjysmën e lugës së çajit. E hapim me furçë mbi sipërfaqen e bërxollës, e pudrosim me pak hudhër pluhur, piper të zi, piper të kuq. I kthejmë nga ana tjetër bërxollat dhe bëjmë të njëjtin veprim si më sipër. Në fund i spërkatim me vaj ulliri. Lyejmë tepsinë me 2 lugë gjelle vaj bimor. Fillimisht shpërndajmë në tepsi patatet e prerë në kubikë. Të gjitha perimet e tjera të prera në kubikë. Veç bamjet e pastruara nga bishtat i shpërndajmë mbi patatet. I spërkatim me kripë dhe pak vaj ulliri. Mbi të gjitha perimet vendosim bërxollat. I mbulojmë me letër alumini dhe I vendosim në furrë në temperaturën 220ºC për 40 minuta. Më pas largojmë letrën, kthejmë bërxollat dhe I vendosim përsëri në furrë dhe për 15-20 minuta të tjera në temperaturën 200ºC.

Bërxolla viçi me perime në furrë