Receta e parë: Byrek me petë të pjekura dhe djath

Përbërësit:

1 pako peta të pjekura

2-3 petë të njoma

5 kokrra vezë

1 l qumësht

100 gr gjalp

50 ml vaj

250 gr djathë dhie

Kripë dhe arrë moskat

Përgatitja:

Në një tas rrahim vezët e plota me gjalpin e tretur, qumështin, kripën dhe arrën moskat. Djathin e thërrmojmë dhe e lëmë mënjanë. Lyejmë tepsinë me vaj dhe vendosim fillimisht 2-3 petë të njoma. Më pas vendosim 1-2 petë të pjekura dhe i spërkatim mirë me qumështin me vezë. Shpërndajmë djathin në të gjithë sipërfaqen. Vendosim përsëri 2-3 petë në të gjithë sipërfaqen . përsëri lagim me qumësht  me vezë dhe shtojmë djathin e mbetur . E mbulojmë sërish me petë dhe shtojmë në fund qumështin e mbetur. Kthejmë anët e petëve të njoma duke i spërkatur me vaj dhe pak qumësht. Vendosim tepsinë në furrën e parangrohur në temperaturë 200ºC për 35-40 minuta.

Byrek me petë të pjekura e djath

Receta e dytë: Supë me asparag dhe bizele

Përbërësit:

500 gr asparag

2 qepë të njoma

1 thelb hudhër

1 lgj erëza perime të thata

500 gr bizele

1 lgj uthull

100 gr krem kosi

3-4 gjethe borzilok

Vaj ulliri

Kripë

1 lç sheqer

Përgatitja:

Lajmë dhe pastrojmë fundet e asparagut dhe e presim atë në copa duke ruajtur disa maja për dekor. Vendosim tenxheren me 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe hedim në të qepën e prerë në unaza, 1 thelb hudhër, asparagët e prerë në copëza, 1 lugë gjelle erëza me perime të thata, 1,2 litër ujë, bizelet dhe i lëmë të ziejnë për 10-15 minuta. Në 5 minutat e fundit shtojmë pak borzilok.

Vendosim 1 tigan të vogël me 1 lugë gjelle vaj ulliri dhe kaurdisim për 3-4 minuta majat e asparagur që hoqëm mënjanë.

Kalojmë supën në blender, e rregullojmë shijen me kripë, sheqer, uthull e piper. Shërbejmë supën duke vendosur pak krem kosi dhe e dekorojmë atë me majat e asparagut në krye.

Supë me asparag dhe bizele

Receta e tretë: Luleshtrydhe me krem dhe çokollatë

Përbërësit:

Luleshtrydhe

250 gr maskarpone

1 e 1/2 lgj mjalt

50 gr çokollata fondente

Përgatitja:

Në një tas vendosim mascarpone dhe mjalt. I përziejmë bashkë deri sat ë na formohet një krem i lëmuar. Vendosim nga 1 lugë gjelle krem në një pjatë të vogël ose në një pjatë të përbashkët. Vendosim lugë lugë mbi çdo lugë kremi 1 ose ½ luleshtrydhe me gjethe. Në fund e spërkatim me çokollatë dhe e shërbejmë.

Luleshtrydhe me krem dhe çokollatë