Receta e parë: Byrek me qepë e domate

Përbërësit:

1 pako petë

800 gr qepë

1 kg domate

kripë + piper i zi

1 lugë gjelle sheqer

2 speca jeshil

nenexhik ose rigon

vaj

Përgatitja:

Qërojmë fillimisht qepët dhe i presim ato në kubikë mesatare jo shumë të imta. Më pas qërojmë domatet nga lëkura dhe tulin e tyre e presim në copa mesatarisht si qepa.
Vendosim tiganin me 4 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim qepën derisa ajo të zbutet duke e ndihmuar me pak fare ujë. Kujdes, pasi qepa nuk duhet të marrë ngjyrë të erret. Shtojmë më pas specat të prerë në kubikë dhe i lemë sa të zbuten pak së bashku me qepën. I rregullojmë me kripë duke shtuar domatet të cilat i lemë të ziejnë së bashku me qepën dhe specat për 10 minuta. E rregullojmë në fund shijen me kripë, piper dhe pak sheqer. Pasi e largojmë mbushjen nga zjarri hedhim një majë luge rigon dhe e lemë të ftohet pak (mbushja nuk duhet të ketë shumë lëng).

Lyejmë tepsinë me pak vaj dhe vendosim petët duke i spërkatur me pak vaj dhe pak ujë. Shtrojmë 6 petë poshtë dhe vendosim një shtresë të hollë me mbushje dhe më pas shtrojmë 2-3 petë të tjera dhe mund të vendosim dhe një shtresë tjetër të hollë mbushje. E mbulojmë mbushjen me petë duke e spërkatur me pak vaj, mbledhim anët dhe e vendosim byrekun në furrë për tu pjekur në temperaturën 190 gradë Celsius për 25-30 minuta (ky byrek mund të bëhet me 1,2 ose 3 shtresa sipas preferencave).

Byreku kushton 340 lekë, por megjithë telefonatat e shumta asnjë nuk arriti ta gjente vlerën e saktë për tu brë në këtë mënyrë fitues i quiz-it tonë. Me vetëm një telefeonatë në numrin 044 400 101 dhe një shifër të saktë se sa kushton receta ju munf të bëheni fitues i 2000 lekëve të reja. 

Byrek me qepë e domate

Receta e dytë: Supë me kungull dhe kos

Përbërësit:

400 gr kungull

vaj për skuqje

40 gr gjalp

2 lugë gjelle miell

500 ml kos + 2 thelpinj hudhër

700 ml lëng perimesh

kripë + piper të zi

kopër

Përgatitja:

Presim kungullin në feta rrumbullake jo shumë të holla. I skuqim ato dhe I largojmë duke i vendosur në letër kuzhine. Në një tenxhere shkrijmë gjalpin dhe kaurdisim miellin deri sa ai të ziejë në gjalp. Shtojmë kosin dhe e përziejmë mirë duke krijuar një masë të trashë. E shuajmë më pas me lëng perimesh e hudhër dhe e lëmë të ziejë duke përftuar kosistencën që dëshirojmë. Shtojmë kripë, piper të zi. Në fund shtojmë kungujt, i japim një valë dhe e servirim duke e spërkatur me kopër. Nëse dëshironi mund ta kaloni dhe në blender duke e kthyer supën në krem.  

Supë me kungull e kos