Receta e parë: Koc furre në letër
Përbërësit:
2 peshq koc
200 gr speca të kuq
300 gr patate
150 gr domate qershi
80 gr ullinj të zi
30 gr kaperi
majdanoz
kripë+ piper të zi
vaj ulliri
Përgatitja:
Pastrojmë peshkun, e lajmë dhe e thajmë atë. Presim perimet, patatet në feta të holla rrumbullake. Specat i presim në shirita. Kaperin dhe ullinjtë i shpëlajmë mirë. Majdanozin e lëmë degë. Marrim një letër pjekjeje dhe e spërkatim bazën e letrës me kripë. Vendosim në qendër 2 rreshta me feta patate sa gjatësia dhe gjerësia e peshkut. Mbi patate vendosim disa feta speci të kuq. I spërkatim me pak vaj ulliri, kripë e piper të zi. Vendosim peshkun duke e marinuar atë më kripë dhe në barkun e tij vendosim 1 degë majdanoz dhe disa kokrra kaperi. Mbi peshk vendosim përsëri disa feta speci. Anash vendosim disa ullinj të zi. Gjithashtu presim në feta disa kokrra domate qershi. Shtojmë kripë, piper të zi e 1 lugë gjelle vaj dhe e mbështjellim letrën e kuzhinës si karamele. Vecc kësaj e mbështjellim dhe me letër alumini mbi të. Vendosim pakot në tepsi dhe e vendosim në furrë në temperaturën 220ºC për 25 minuta.
Kjo recetë kushtoi 1150 lekë dhe u gjet nga Zonja Ermelinda nga Shkodra. Pas shumë telefonatave në minutat e fundit, Zonja Ermelinda arriti që të gjente vlerën e saktë të kostos së recetës. Të gjitha amvisat mund të bëhen pjesë e kuicit tonë duke telefonuar në numrin 044 400 101 dhe të bëhen pjesë e mundësisë për të fituar 2000 lekë të reja nga Conad.
Koc furre në letër
Receta e dytë: Tiramisu me banane
Përbërësit:
3 banane
1 pako biskota
300 ml kakao e përgatituar
500 gr maskarpone
300 ml pana ëmbëlsire
100 gr kos
70 gr sheqer pluhur
1 pako sheqer vanilje
100 gr cokollatë e grirë
kakao pluhur
Përgatitja:
Fillimisht rrahim panën deri sat ë ngurtësohet. Vendosim maskarponen në një tas dhe e trazojmë bashkë me sheqerin pluhur me rrahëse elektrike duke shtuar dhe vaniljen e salcën e kosit. Bashkojmë maskarponen dhe panën e rrahur. Vendosim si bazë në tepsi fillimisht biskotat e lyera me kakao por mund të lyeni dhe vetëm me qumësht ose krem uiski. Pasi kemi shtruar bazën me biskota të njoma me kakao mbulojmë sipërfaqen me krem dhe e nivelojmë mirë. Vazhdojmë dhe rreshtin e dytë me biskota të lagura. Mbulojmë me krem dhe vendosim një rresht komplet me feta bananesh. E mbulojmë me krem dhe e vendosim në frigorifer për 2 orë dhe në fund e spërkatim me çokollatë të ngrirë. Mund të pudrosim edhe me kakao. Veprimet e fundit I bëjmë nëse e kemi vendosur në frigorifer për 2 orë.