Receta e parë: Pastiçe me spinaq

Përbërësit:

400-500 gr makarona

700 gr spinaq

4 lgj vaj ulliri

1 kokërr qepë

100 gr domate të thata

Kripë, piper i zi ,arrë moskat

250 gr gjizë

3 kokrra vezë

500 ml qumësht

50 gr parmixhan i grirë

250 gr mozarela

Përgatitja:

Në një tenxhere me ujë të valuar ziejmë spinaqin për 1 minutë dhe e kullojmë mirë  e më pas e presim rëndë. Në një tenxhere me ujë të bollshëm të valuar ku kemi shtuar kripë ziejmë makaronat për 4 minuta më pak nga minutazhi i shkruar në etiketë.

Ndërkohë që ziejnë makaronat, në një tigan me vaj vendosim një hudhër dhe skuqim qepën e grirë imët. E largojmë hudhrën dhe shtojmë në të domatet e thata të prera në shirita. Shtojmë dhe spinaqin dhe i kaurdisim mirë së bashku. Shtojmë kripë, piper, arrë moskat dhe i largojmë.

Kullojmë makaronat dhe i trazojmë sëbashku me spinaqin në tigan. Lyejmë një tavë me gjalp dhe shtojmë në të makaronat e trazuara me spinaq dhe domatet. Në një tas rrahim vezët, shtojmë gjizën dhe i përziejmë bashkë me kripë, piper, qumësht, parmixhan të grirë. Shtojmë masën e lëngshme në tepsinë e makaronave, i nivelojmë mirë ato dhe më pas e mbulojmë tepsinë me mozarela të prerë në kubikë të vegjël. Vendosim tavën në furrë në temperaturën 180ºC për 30 minuta.

Pastiçe me spinaq

Receta e dytë: Jahni me pulë dhe roshnica

Përbërësit:

4-6 racione mish pule(ose mish)

3 lgj vaj ulliri

1 kokërr qepë e madhe

1 fç pure domate

1,5 l ujë

1 lgj gjalp

1 gotë uji roshnica

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Në një tenxhere me vaj, skuqim copat e pulës ose mishit deri sat ë ndryshojë pak ngjyrë. Largojmë copat e mishit dhe shtojmë në tenxhere qepën e grirë hollë. Shtojmë kripë dhe piper dhe e kaurdisim deri sa qepa të bëhet transparente. Shtojmë purenë e domates, i japim një valë, shtojmë copat e mishit të pulës, 1,5 litër ujë të nxehtë dhe e lëmë të ziejë për 20 minuta. E provojmë për shije për ta rregulluar atë. Mdërkohë në një tigan shkrijmë gjalpin dhe kaurdisim roshnicat deri sa ato të marrin një ngjyrë të artë. Më pas i shtojmë në tenxheren ku po zien mishi dhe i lëmë deri sa lëngu të trashet dhe roshnicat të kenë zier rreth 10-15 minuta. I shërbejmë të ngrohta.

Jahni me pulë dhe roshnica