Receta e parë: Pilaf me bullgur dhe patëllxhanë

Përbërësit:

2 patëllxhanë

1 kokërr qepë

1 thelb hudhër

½ spec i kuq

1 spec jeshil

2 domate

Nenxhik i freskët

1 lgj salcë domate

Kripë dhe piper i zi

1 lgj gjalp

2 lgj vaj ulliri

Përgatitja:

Lajmë, pastrojmë patëllxhanët, i presim ato në kubikë me brinjë 1 cm dhe i vendosim në ujë me kripë ose ujë e limon që të mos oksidohen për 20 minuta. Më pas i kullojmë dhe i thajmë mirë me pecetë letre.

Vendosim tiganin me vaj bimor, shtojmë në të 1 thelb hudhër dhe kur hudhra të fillojë të flluskojë ( të ziejë në vaj), vaji është aromatizuar shtojmë kubikët me patëllxhanë dhe i skuqim deri sa të marrin një ngjyrë të artë. I largojmë dhe i vendosim përsëri në një pjatë ku kemi shtruar letër kuzhine me qëllim që të largojmë yndyrën e tepërt.

Në një tigan të thellë  vendosim 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe 1 lugë gjelle  gjalp. Shtojmë qepën e prerë në kubikë, 1 thelb hudhër. Duke kaurdisur qepën, deri sa të zbutet dhe të bëhet transparente, shtojmë specin jeshil, specin e kuq të prerë në kubikë të vegjël. Presim domatet në kubikë dhe i kaurdisim ato për 5 minuta. Shtojmë 1 lugë gjelle salcë domate, e kaurdisim mirë me perimet dhe shtojmë gjysmë filxhani ujë dhe ziejmë pak salcën për 2 minuta.

Shtojmë gjysmë gote bullgur , e kaurdisim pak duke shtuar 3 gota ujë të nxehtë, e trazojmë pak duke shtuar kripë dhe piper të zi, spec pikant nëse dëshironi. Mbulojmë tenxheren me kapak dhe e lëmë të ziejë për 15 minuta. Pasi të kenë kaluar 10-12 minuta zbulojmë tenxheren, shtojmë patëllxhanët e skuqur në tenxheren me bullgur dhe e mbulojmë me pecetë për 15 minuta të tjera, duke e fikur zjarrin. Pasi të kenë kaluar 15 minuta i mbuluar, mund ta shërbejmë bullgurin të ngrohtë të zbukuruar me nenxhik të freskët.  

Pilaf me bullgur dhe patëllxhanë

Receta e dytë: Ëmbëlsirë në gotë me mandarina

Përbërësit:

5-6  mandarina
1 pako puding vanilje
1 gotë qumësht
3 lugë gjelle sheqer1 gotë lëng portokalli
200 gr salcë kosi
3 lgj krem pana ëmbëlsire
1 lgj lëng limoni
6 biskota savojard

Përgatitja:

Në një tenxhere të vogël vendosim të ziejë lëngun e portokallit. Trazojmë ½ pako puding me 100 ml qumësht dhe 2 lugë sheqer. Pasi masa të jetë bërë homogjene e shtojmë në tenxheren ku kemi vendosur lëngun e portokallit. E trazojmë me kujdes dhe kur të kalojë në vlim e largojmë pas një minute. E lemë të ftohet dhe më pas shtojmë copëzat e mandarinës. Trazojmë salcën e kosit me ajkë dhe me 1 lugë e gjysëm sheqer. Biskotat i thërrmojmë dhe një lugë gjelle me biskota të thërrmuara e vendosim në gotën e servirjes. Gjithashtu në gotën e servirjes vemë dhe një biskotë vertikalisht. Mbi biskotat e thërrmuara vendosim një shtresë me masën e trazuar me salcë kosi dhe një shtresë me puding me mandarina. E lemë të ftohet dhe të mpikset dhe e servirim të zbukuruar me gjethe mente.

Ëmbëlsirë në gotë me mandarina