Receta e parë: Qofte furre me mish dhe speca
Përbërësit:
Brumi:
500 gr mish i grirë
2 lugë gjelle qepë në rende
2-3 lugë gjelle peksimadhe
Kripë dhe piper i zi
½ lugë çaji piper i kuq
1 kokërr vezë
2 lugë gjelle majdanoz
Garnitura:
4 speca me ngjyrë
3 domate mesatare
2 qepë të kuqe
60 gr pure domate ose salcë domate
80 gr salcë kosi
70 gr djath pice
Përgatitja:
Vendosim në një tas mishin, qepën, peksimadhen, kripë, piper të zi, piper të ku, vezë e majdanoz dhe e punojmë mirë brumin me duar e më pas e lëmë të pushojë në frigorifer për 15-20 minuta. Presim specat në feta rrumbullake me trashësi 1,5-2 cm. I vendosim në një tepsi ku kemi shtruar letër pjekje. Gjithashtu dhe domatet I presim në feta rrumbullake me trashësi 0,5 cm. Edhe qepët e kuqe i presim në feta rrumbullake. Pjesët anësore të specave dhe domateve që teprojnë i presim në kubikë shumë të vegjël 0,5 cm dhe i përziejmë me mishin duke e punuar mirë. Mbushim gropëzat e specave duke i ngjeshur mirë ato me brumin e qofteve. Pasi kemi mbushur të gjitha fetat e specave, i lyejmë secilëm me gjysmë luge çaji me salcë ose pure domate. Mbi salcën vendosim nga një fetë me qepë të kuqe. Mbi qepë vendosim një lugë çaji salcë kosi. E lyejmë mrië qepën dhe mbi salcën e kosit vendosim një fetë domate të cilën e spërkatim me pak piper të kuq dhe përsëri me salcë kosi. Vendosim tavën në furrë në temperaturë 200 ºC për 30 minuta. Pasi të kalojë kjo kohë nxjerrim tavën dhe vendosim mbi çdo domate pak djath pice. E vendosim në furrë dhe i lëmë 5 minuta dhe I shërbejmë të ngrohta.
Përbërësit e kësaj recete të gatuar nga Zonja Vjollca kushtojnë 720 lekë, por asnjë prej telefonuesve nuk e gjeti vlerën e saktë. Megjithatë pjesë e quiz-it mund të bëheni secili prej jush duke telefonuar çdo ditë gjatë gatimit të zonjës Vjollca në numrin 044 400 101 dhe do të keni mundësi të fitoni 2000 lekë të reja nga Conad.
Qofte furre me mish dhe speca
Receta e dytë: Makarona me perime
Përbërësit:
2 qepë të kuqe
½ selino
2 thelpinj hudhër
200 gr domate qershi
Borzilok
2 patëllxhanë
2 kunguj të njomë
4 lugë gjelle vaj ulliri
250 gr makarona
2 lugë gjelle stika pishe
2 lugë gjelle peksimadhe
1 thelb hudhër
Kripë
Përgatitja:
Fillimisht përgatisim salcën. Ngrohim vajin e ullirit, preim qepët në rrathë dhe i kaurdisim deri sat ë zverdhen. Shtojmë hudhrën, selinonë të grirë shumë imët dhe I kaurdisim për 1 minutë duke shtuar specat e prerë në kubikë me brinjë 1 cm. I kaurdisim për 3 minuta duke shtuar më pas domatet qershi të prera në dysh, kripë e borzilok. Vendosim kapakun dhe i lëmë të ziejnë në temperaturë të ulët. Në një tigan tjetër skuqim patëllxhanët dhe kungujt e prerë në kubikë me brinjë 1 cm. Pasi skuqim i vendosim në letër kuzhine për largimin e yndyrës e më pas i bashkojmë me perimet në tiganin me domate. Ndërkohë kemi vendosur dhe tenxheren me ujë për të valuar. Shtojmë kripë dhe ziejmë makaronat aq minuta sa shkruhet në etiketë. Pasi ziejmë makaronat ngrohim pak vaj ulliri dhe kaurdisim 1 thelb hudhër, stika pishe e peksimadhe. Kullojmë makaronat dhe i kaurdisim me stikat dhe peksimadhen. Në fund i shërbejmë duke shtruar si bazë pak perime. Mbi to vendosim makaronat dhe përsëri I mbulojmë me 2 lugë gjelle perime dhe një gjethe borzilok.