Receta e parë: Tavë me oriz, mish të grirë dhe perime

Përbërësit:

400 gr mish i grirë

1 kokërr qepë

3 speca me ngjyrë

2 karrota

2 kupa oriz

1 lugë gjalp

2 lgj vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

2 lgj majdanoz i grirë

Beshameli:

40 gr gjalp

40 gr miell

400 ml qumësht

Kripë dhe arre moskat

2 lgj parmixhan i grirë

Përgatitja:

Fillimisht vendosim orizin për të zier jo si zakonisht në raportin 1 masë oriz dhe 2 masa ujë, por 1 masë oriz me 1 masë e gjysmë ujë. Do ta lëmë shumë aldent për arsye se do të vazhdojë gatimi në furrë. Në një tigan të thellë vendosim vajin, 1 thelp hudhër dhe kaurdisim kërpudhat. Sa të zverdhen pak, i largojmë.

Në po atë tigan kaurdisim qepën sa të zbutet, karrotën e grirë në kubikë të vegjël dhe i kaurdisim për 3 minuta.  Shtojmë mishin e grirë dhe vazhdojmë me kaurdisjen deri sa mishi të gatuhet. Shtojmë aty edhe kërpudhat e skuqura dhe i trazojmë së bashku. Në fund shtojmë specat, kripë e piper të zi dhe majdanozin e grirë.

Në një tavë keku ose tavë xhami fillimisht shtojmë si bazë orizin gjysmë të zier dhe e nivelojmë në komplet tepsinë. Mbi oriz shtojmë kimën me perime.

Përgatisi beshamelin, shkrijmë gjalpin dhe kaurdisim miellin pa i dhënë ngjyrë dhe më pas shtojmë gradualisht qumështin. E lëmë të marrë valë, shtojmë kripë, arrë moskat dhe gjysmën e parmixhanit.

Shtojmë mbi kimën me perime beshamelin dhe e nivelojmë mirë. Në fund e spërkatim me parmixhan të grirë dhe e vendosim në furrë në temperaturën 180ºC për 20 min.

Tavë me oriz, mish të grirë e perime

Receta e dytë: Sallatë me qiqra dhe djath

Përbërësit:

300 gr  domate qershi

1 kastravec

250 gr qiqra

1 tufë majdanoz

60 gr djath i bardhë

1 limon

1 lç mjaltë

2 lugë uthull balsamike

3 lgj vaj ulliri

Pak kripë

Përgatitja:

Lajmë domatet qershi dhe i presim në copa të vogla e më pas i vendosim në një tas. Lajmë kastravecin, e pastrojmë atë dhe e presim në kubikë të vegjël dhe i bashkojmë në tasin me domate.

Shpëlajmë dhe i kullojmë mrië qiqrat duke i bashkuar së bashku me domatet dhe kastravecin në një tas. Lajmë dhe shkundim majdanozin duke e prerë jo shumë hollë dhe gjithashtu e vendosim në tasin me përbërësit e tjerë.

Përgatisim dresingun duke trazuar bashkë në një tas lëng limoni, mjalt, uthull balsamike, vaj, kripë. Përzierjen e shtojmë në sallatë. Në fund presim djathin në kubikë dhe e shtojmë në sallatë , i përziejmë mirë dhe më pas e shërbejmë.

Sallatë me qiqra e djath