TIRANE-Të hënën nis sezoni i pestë i provimit të shtetit me anë të të cilit mësuesit dhe infermierët do kenë mundësi të licensohen për të ushtruar profesionin e tyre. Ky sezon do të fillojë me profesionin e mamisë dhe do të përfundojë me atë të farmacisë. Kushtet e testimit do të jenë të njejta me ato të viteve të kaluara.
 
Nga dita e hënë do të kenë mundësi të testohen në provimin e shtetit për tu pajisur me licensë për ushtrim profesioni  të gjithë ata që duan të ushtojnë profesionin e infermierit dhe mësuesit.

Ky është sezoni i pestë i provimeve të shtetit për profesionet e fushës së mjekësisë dhe sezoni tretë për mësuesinë, ndërsa kushtet e testimit nuk kanë ndryshuar.  Kandidatët kanë 1 orë kohë në dispozicion dhe elektronikisht plrotësojnë pyetjet ku nga 100 pikë mjaftojnë të marrin 50 prej tyre dhe licensimi i kandidateve është i kryer.

 Infermieria pritet të fillojë ditën e mërkurë ndërsa pritet të marrin pjesë 1400  infermierë të cilët janë regjistruar për të zhvilluar këtë testim. Infermieria do ketë mundësi ta zhvillojë testimin nga data 13 deri në datën 25 nëntor. Stomatologjia do të jetë me datë 23 dhe 24, ndërsa data 20 nëntor do të jetë për infermierinë e përgjithshme.

Në muajin dhjetor do të zhvillohet testimi për mësuesinë dhe farmacinë, konkretish mësuesia në  datën 5 deri në 16 dhjetor ndërsa farmacia, 17 deri në 19 dhjetor. Këtë vit risi është se pritet që të ketë kandidatë të infermjerisë dhe farmacisë që do të konkurojnë për herë të 5-të, që është edhe afati maksimal për marrjen e licensës.

Nëse edhe këtë herë kandidati nuk e merr provimin atëherë ai nuk ka të drejtë të ushtrojë këtë profesion. Ai mund të punojë vetëm si ndihmës farmacist ose profesion të ngjashëm me të por që nuk mund të firmosë dhe të jetë i pari. Drejtori i Drejtorisë së provimit të shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve Niko Terezi  deklaron se ky provim ka si qëllim të përcaktojë profesionistët që janë të aftë ta zhvillojnë këtë profesion.

Kandidati pasi përfundoin provimin elektronikisht pajiset në vend me një kopje të përgjigjeve të provimit dhe nëse rezulton kalues brenda 1 muaji ka të drejtë të marrë edhe licensimin për ushtrimin e profesionit. Këtë vit pritet që testimit t’i nënshtrohen një numër i madh infermierësh dhe mësuesish të cilët presin të licensohen në profesionin e tyre. 
 
 Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)