Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në një konferencë për shtyp për vizionin 2026 dhe ekosistemin e ri të bashkëpunimit mes turizmit, kulturës dhe sportit, tha se fokusi kryesor është kalimi përtej tavaneve të buxhetit. Për këtë, do të nevojitet të gjenden burime të tjera financiare.
“Lufta jonë parësore është që të kërkojmë përtej tavaneve të buxhetit sepse Shqipëria do të duhet të shpikë fonde, të maksimizojë vlerën. Shumëfishimi i mbështetjes për institucionet, mirëmbajtja, investimi në infrastrukturë, objekteve historike, itinerare, muzeume, tashmë kanë marrë jetë”, tha Gonxhja.
Ministri tha se ka një rritje prej 6.6% në turizëm pasi 2025 u mbyll me 12.2 milionë vizitorë. Menaxhimi dhe rritja e shërbimeve janë thelbësore, u shpreh ai.
“Kemi nisur punën për digjitalizimin e shërbimit. Jemi duke punuar për rritjen e hapësirës së plazhit publik, për mirëmenaxhimin e stacioneve dhe këtë vit kemi sjellë risinë e vetëmenaxhimit krahas atij nga subjektet private që ata në ato zona e harta që bashkia konstaton. Reduktimi i beach bar-eve, ulja e ndotjes mjedisore dhe akustike dhe rritja e këndit të sportit e lojërave. Kemi nisur punën për më shumë informacion për qiranë afatshkurtër dhe në bashkërendim me organet, të rrisim certifikimin, kontrollin duke eliminuar evazionin. Ndërkombëtarëzimi i ofertës dhe potencialit të Shqipërisë, duhet të rrisim praninë në tregjet kombëtare përmes pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare. Rritje të cilësisë së shërbimit turistik përmes zhvillimit të kapaciteteve njerëzore. Trajnime të vazhdueshme, certifikime, përshtatje të kurrikulave. Turizëm gjithëvjetor përmes turizmit të eventeve që strukturat të kenë kapacitete jo vetëm në shtretër, por për të përballuar aktivitete. Është i rëndësishëm turizmi i eventeve, malor, ekologjik, gastronomik e kulturor.”, tha ministri.
Ministri tha se në nivel institucional do të ketë riorganizim, ndërsa priten investime në infrastrukturën kulturore. “Sivjet bëhemi gati të hapim atraksione të reja në art e kulturë”, tha ai, por sigurisht që fokusi te ato ekzistuese mbetet. “Duam të rrisim sa më shumë numrin e koleksioneve të ndryshme të gjithçkaje”, tha ministri.
E drejta e autorit do të ketë vëmendje të veçantë, tha Gonxhja, sepse synon forcimin e saj. Do të ketë ndërhyrje në ligjin e sponsorizimit, parashikohet mbështetje për organizatat rinore dhe fondet për sportin janë 32% më shumë sesa në vitin 2025.
Lidhur me projektin TID në Durrës, ministri Blendi Gonxhja nënvizoi rëndësinë e tij gjatë konferencës për shtyp. Gonxhja tha se ndërhyrja është e pashmangshme dhe projekti do të shkojë përpara.
“Rëndësia e projektit është e jashtëzakonshme, na superon, është përtej nesh. Nuk diskutohet që një ndërhyrje do të ketë. Këto sakrifica do të jenë disa objekte. Përbëhen nga disa shembje ose ndërhyrje që janë ballkone, kate pa leje, kthina që preken, objekte që preken në tërësi, jemi dëshmitarë të një procesi që është në gjykatë. Gjykata ka vlerësuar që janë të drejta të gjitha procedurat që kemi ndjekur. Nuk mundet të shemben dhe të jetojnë aty, nuk mundet të realizojmë çdo dëshirë. Është një projekt shumë i rëndësishëm, do të shkojë përpara, është i financuar si bashkëpunim edhe nga fondacioni shqiptaro-amerikan dhe është shumë e gabuar që të mendohet se ka ardhur AADF dhe po bën projekt në Durrës. Jemi ne, është shteti shqiptar, ministria që unë drejtoj, trajtim të amfiteatrit që ka të bëjë me rijetëzimin e tij. Numri i objekteve që duhet të lëvizin është shumë i vogël në krahasim me përfitimet. Shpronësimet janë vlerësuar disa herë dhe është e domosdoshme që disa duhet të lëvizin. Jemi gati të mitigojmë çdo aspekt mosdakordësie. Ky është projekt shumë i rëndësishëm, është projekti ynë. Ne duhet të jemi të zotët e rëndësisë së këtij projekti”, tha Gonxhja.
Parku i Butrintit është pjesë e vizionit 2026 të Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit. Ministri Blendi Gonxhja tha se shumë shpejt aty do të jetë qendra më e bukur e vizitorëve në rajon me transport të gjelbër duke ruajtur aspektin natyror e historik.
“Do të shikojmë që do të kemi kujdes nga pikëpamja e restaurimit, konservimit. Do të kemi shumë shpejt qendrën më të bukur të vizitorëve ndoshta në rajon dhe jo vetëm, në Butrint, do të kemi transport të gjelbër, një pikë parkimi lart për fluksin e mjeteve, do të ruajmë aspektin e vjetër natyror të peizazheve dhe shekujve të shkuar që të jetë e gjitha e shkrirë, të ketë një trajtim shumë holistik gjithë parku i madh i Butrintit, por po punojmë me realizimin e regjistrimeve, prokurimet, kuptohet nga Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit, por me mbështetjen tonë dhe shumë shpejt do të kemi fillimin e investimeve shumë të rëndësishme”, tha Gonxhja.
Komente










