Të shkarkuarit nga procesi i vettingut kanë krijuar 'Shoqatën për Drejtësi', ku i kanë dërguar një kërkesë Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca, të shkarkojë Luan Dacin, i cili ka marrë vendimin për të larguar nga drejtësia disa prej tyre si dhe të bëjë verifikimin për një sërë drejtuesish të tjerë të vettingut.

Shoqata për Drejtësinë në kërkesën drejtuar Avokatit të Popullit, shprehen se duhet të bëjë verifikime dhe nëse "konstaton shkelje ligjore të aplikantëve dhe për rrjedhojë kushtet të pavlefshmërisë në emërimin e tyre, të ndjekë hapat e duhur ligjor dhe kushtetues, të Informojë Kuvendin, të kërkojë pavlefshmërinë e emërimit të tyre, si dhe kur është rasti të çojë për ndjekje penale personat që kanë paraqitur dokumentet të falsifikuar".

Një prej emrave të cilët ata të kërkojnë shkarkimin është Luan Daci, që sipas të larguarve nga drejtësia "nuk plotëson kushtin të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës”.

E njëjta gjë është edhe për anëtarin e KPA, Ardian Hajdari. Në shkresë thuhet se "zgjedhja e antarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Ardian Hajdari është e paligjshme pasi është shkelur parimi kushtetues pasi ai nuk plotëson kushtin të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës”.

Gjithashtu në kërkesën dërguar Avokatit të Popullit, 'Shoqatën për Drejtësi' që përbëhet nga të shkarkuarit nga procesi i vettingut, të bëhet verifikimi edhe për një sërë drejtuesish të tjerë të KPK dhe KPA.

( Kliko këtu ) Kërkesa e plotë