Të lindësh në kohë COVID-i, mjekja për Report Tv: Sfidë për personelin mjekësor, ka pasur nëna të infektuara! Nuk kemi infermierë

TIRANË- Për nënat kryesisht për nënat e reja, ky vit ka qenë plotë sfida teksa prisnin të sillnin në jetë fëmijët e tyre. Këtu ku nis jeta dhe lind shpresa, le të shohim së bashku se çfarë ka ndryshuar në këtë situatë pandemie. Cilat janë peripecitë që mjekët kanë hasur dhe si e kanë përballuar nënat e reja kryesisht lindjen e të vegjëlve të tyre.

Saniela Bejdo solli në jetë binjakë, djem. 28-vjecarja ka afër foshnjet e saj dhe megjithëse e frikësuar nga Covid, është e lumtur që lindi shëndetshëm. Maskën nuk e heq në asnjë moment por ndjehet pak e lodhur prej saj. Orëve mes dhimbjeve për të sjellë në jetë vogëlushët, i kaloi vetëm me praninë e infermieres. Asnjë nga familjarët për shkak të pandemisë nuk u lejua në maternitet

“Procesi i lindjes si proces lindje. Me thënë të drejtën e kam përjetuar çik keq nga fakti se jo meraku, jo maska. Jo fakti që nuk kam njëri e të gjitha me radhë. Ose bashkëshorti që nuk mund të asistonte. Por që kaloi, çdo gjë me sukses”, u shpreh 28-vjeçarja. 

Lediana është një tjetër e re që sapo ka lindur. As bashkëshorti nuk e ka parë, por 30-vjeçarja është e lumtur që solli në jetë djalin e saj të cilit akoma nuk i ka vendosur emër. Për këtë ajo pret të bashkohet me familjarët për të bërë dhe një festë të vogël

“Situata normal që ishte e vështirë për pandeminë, por në këto kushte që ka spitali normal që nuk të ngjall atë ndjenjën e frikës për virusin sepse ka shumë kushte të mira. Dhe nuk është frikë që të lindësh dhe në kohë pandemie”, shprehet nëna e re nga Përmeti.

Gëzimin e ardhjes në jetë të fëmijëve këtu në maternitetin Koco Gloxheni në Tiranë,  prindërit e festojnë të ndarë. Kujdesi i të afërmeve  prej muajsh është zëvendësuar nga personeli mjekësor. Por si po menaxhohet situata me lindjet në kohë pandemie.

 “Është kënaqësi që të komunikojmë me nënat e reja dhe t’i mbështesim ato sidomos në këtë situatë të vështirë të pandemisë. Në këtë situatë, në përgjithësi stafi mjekësor është pothuajse i tëri në punë tek ne, në shërbimin e maternitet Koço Gliozheni, kurse stafi infermieror ka dhe pak mungesa. Në këtë situatë ndjejmë një gjë tjetër që nënat e reja kërkojnë më shumë mbështetje nga ana jonë si personel për periudhën që ato paraqiten tek ne në shërbim sepse  e kanë të vështirë të ndahen nga familjarët e tyre”, tha për Report TV mjekja obsteter-gjinekologe Mirela Rista.

Si lind një nënë e prekur me Covid? Mjekja Mirela Rista na tregon se si është vepruar me raste të tilla.

“Ne kemi lindur fëmijë nga nëna të cilat kanë ardhur me Covid. Situatat janë zgjidhur me lindje me operacion. Stafi që është marrë me momentin e zgjidhjes së lindjes kuptohet që është përgatitur me veshje të duhura për të qenë sa më i mbrojtur ai vetë nga situata e Covid që ka pasur nëna”,shtoi më tej Rista.

Për nënat shtatzëna të infektuara dhe në mungesë të simptomave mjekja thotë se janë mbajtur me vitamina, konsulta të vazhdueshme si dhe ekografi të herëpashershme. Për ato nëna që kanë prekje në mushkëri, janë transferuar te Infektivi. Megjithatë jashtë mureve ka njerëz që mezi presin për te parë mbesat dhe nipërit e ardhshëm. Lulet ua lenë infermiereve dhe më pas largohen

 “Kjo buqetë është për motrën time e cila ka lindur binjake”, shprehet qytetarja teksa do i dorëzojë lulet personelit.

I.K/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja