Mpirja e duarve dhe këmbëve është një shqetësim i zakonshëm që shumë njerëz e përjetojnë, por shpesh nënvlerësohet. Kjo ndjesi mund të sinjalizojë ndryshime të thjeshta në qarkullim ose nerva, por nganjëherë fsheh pas vetes edhe gjendje më të ndërlikuara shëndetësore. Në "Bima dhe Shëndeti" në Report TV tregojmë se çfarë qëndron pas mpirjes, cilët faktorë mund ta shkaktojnë dhe pse është e rëndësishme të merret seriozisht. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja tregon shkaqet më të zakonshme që mund të çojnë në këtë simptomë, si dhe mënyrat se si mund të identifikohen.

“Mpirja e duarve dhe këmbëve është një ndjesi e pazakontë që përfshin pickim, shpim si gjilpëra, rëndesë, djegie ose humbje të përkohshme të ndjeshmërisë. Zakonisht është shenjë e një problemi me nervat, qarkullimin e gjakut ose me përbërës të rëndësishëm të organizmit. Në duar dhe këmbë ndodhet një rrjet i dendur nervash dhe enësh gjaku. Nervat nisin nga truri dhe palca kurrizore dhe shkojnë deri në majat e gishtave, duke sjellë informacione drejt trurit dhe duke dërguar sinjale për lëvizjet e muskujve. Arteriet dhe venat çojnë gjak të oksigjenuar dhe marrin gjakun e përdorur për t’u rikthyer në zemër. Çdo problem me këto struktura mund të shkaktojë mpirje”, thekson Merja.

Shkaqet kryesore të mpirjes sipas Ylli Merjas janë:

  • - Probleme me qarkullimin e gjakut: qarkullim i dobët në gjymtyrë; enë gjaku të ngushtuara, presion i ulur i gjakut, ndjesi të ftohti; sëmundje vaskulare, arterie të ngushtuara. Shenja tipike: duar dhe këmbë të ftohta.
  • - Probleme me shtypjen e nervave: sindroma e tunelit karpal (mpirje e gishtit të madh dhe të mesëm); nervi shiatik; probleme me qafën ose mesin (disqe të dala, shtypje nervore); dëmtime lokale të nervave. Shenja tipike: mpirje dhe therje, shpim si gjilpëra.
  • - Mungesa e vitaminave: Vitamina B1, B6, B12 dhe acidi folik. Shenja tipike: lodhje, dobësi, marramendje, mpirje graduale.
  • - Diabeti dëmton nervat dhe shkakton neuropati diabetike, shpesh me mpirje dhe ndezje.
  • - Probleme me tiroiden, Hipotiroidizmi mund të shkaktojë ënjtje të indeve dhe shtypje të nervave, mpirje.
  • - Anemia, mungesa e hekurit ose e elektroliteve (Mg, K, Ca) shenja tipike: mungesë oksigjeni, lodhje dhe mpirje.
  • - Tensioni i muskujve dhe stresi, muskujt e kontraktuar mund të shtypin nervat dhe japin mpirje të menjëhershme.
  • - Efektet anësore të barnave -Disa antibiotikë, kmioterapia mund të dëmtojnë nervat dhe të shkaktojnë mpirje.
  • - Jeta sedentare, qëndrimi për kohë të gjatë në të njëjtin pozicion, lëvizje e pakët japin mpirje të menjëhershme.
  • - Sëmundje neurologjike ose autoimune si skleroza multiple apo sëmundje të tjera të nervave shkaktojnë mpirje të vazhdueshme ose progresive.

Kur duhet të shqetësohemi nga mpirja e duarve dhe këmbëve?

“Duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore menjëherë nëse shfaqet ndonjë nga simptomat e mëposhtme: dobësi e papritur në krahë ose këmbë, sidomos në njërën anë të trupit, vështirësi në të folur ose në artikulim, dhimbje të forta në kraharor, ngadalësim ose pasiguri në ecje”, theksoi Merja, duke treguar dhe analizat si dhe ekzaminimet mjekësore që rekomandohen.

Si në çdo problematikë shëndetësore thelbësore është gjetja e shkaktarëve, thotë specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja dhe më pas kurimi. Në Rreze Dielli, ai tregon dhe disa trajtime alternative që përdoren për lehtësimin e mpirjes.

1. Mpirja akute (e menjëhershme)

  • * Matja e tensionit të gjakut
  • * Masazhojmë këmbët dhe duart, vendosim kompresa me ujë të ngrohtë, sidomos nëse duart/këmbët janë të ftohta
  • * Çaj bimor të ngrohtë me kamomil ose boronicë, xhinxhër ose gjethe ulliri apo gingo biloba. Këto bimë qetësojnë sistemin nervor dhe përmirësojnë qarkullimin e gjakut
  • * Masazh me vaj basani

2. Mpirja kronike

  • * Këmbët futen në ujë të ngrohtë 12-15 minuta: 5–6 litra ujë me 1–2 lugë gjelle kripë dhe 3 lugë uthull molle
  • * Përziejmë ekstrakt trupi dhe uthull molle në masë të barabartë dhe lyejmë kyçet me garzë të lagur. Pasi thahet ekstrakti vendosim vaj basani ose vaj reumer - masazhohet 15–20 minuta
  • * Çajra bimorë: gingo biloba 2–3 gjethe, 1 dorë murriz lule, 1 dorë kamomil ose bar blete, 1 dorë hithra, gjethe ulliri. Zihen në 2 litra ujë për 2–3 minuta, pihet 3 herë në ditë 1 gotë para bukës. Ose përdoret çaji bimor Kardiomer apo Kolestomer 1 paketë në 2 litra ujë.

Ushtrimet gjithashtu janë shumë të rëndësishme, pasi ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, çlirimin e tensionit të muskujve dhe lehtësimin e shtypjes së nervave, që shpesh shkaktojnë mpirje.

“Bëni lëvizje të ngadalta të kokës në drejtim majtas–djathtas, si kur themi “jo” rreth 10 herë. Bëni lëvizje të kokës poshtë - lart, si kur themi “po”, 5–10 përsëritje.Vendosen duart para gjoksit, shtrini para pëllëmbët poshtë, rrotulloni duart majtas-djathtas dhe anasjelltas 5–6 herë. Shtrihen këmbët dhe zgjaten muskujt, bëhen lëvizje të lehta me këmbë, ndihmon në çlirimin e nervave dhe qarkullimin në gjymtyrët e poshtme. Për duart bëni lëvizje rrethore të kyçeve, shtrirje dhe hapje–mbyllje e gishtave, përmirësojmë furnizimin me gjak”, rekomandon Merja.

Nuk duhet harruar dhe ecja çdo ditë 15–20 minuta, pasi aktivizon qarkullimin dhe pakëson mpirjen e vazhdueshme.