Një anije luftarake iraniane, IRIS Dena, është fundosur pranë brigjeve të Sri Lanka. Sipas burimeve të marinës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, anija është goditur nga një sulm me nëndetëse dhe më pas është mbytur.

Ky informacion u konfirmua fillimisht nga tre burime ushtarake amerikane, në mënyrë anonime, për agjencinë Reuters. Më pas, shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, deklaroi publikisht se anija ishte goditur nga forcat e armatosura amerikane me një nëndetëse.

Ende nuk dihet saktësisht sa persona ndodheshin në bord në momentin e sulmit. Autoritetet e Sri Lankës kanë sqaruar se anija nuk ndodhej brenda ujërave territoriale të vendit. Deri tani janë shpëtuar 32 persona, ndërsa numri i viktimave është të paktën 80.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Sri Lankës theksoi se forcat vendase nuk kishin konstatuar praninë e anijeve apo avionëve të tjerë në zonë në momentin e fundosjes. “Shpresojmë të shpëtojmë persona të tjerë dhe do të vazhdojmë operacionet derisa të jemi plotësisht të sigurt”, u shpreh ai.

Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte deklaruar ditët e fundit se synonte shkatërrimin e plotë të marinës iraniane. Gjatë një deklarate për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai tha: “Aviacioni është shkatërruar, marina është shkatërruar, mbrojtja kundërajrore është shkatërruar dhe nuk kanë më shumë raketa.”

Dy ditë më parë, në rrjetin social Truth Social, Trump kishte shkruar se SHBA kishte shkatërruar dhe fundosur 9 anije të Marinës iraniane, disa prej tyre të mëdha dhe të rëndësishme, duke paralajmëruar se edhe anijet e mbetura do të kishin të njëjtin fat./ Corriere della Sera


Lajmi kryesor:

Trump: Teherani ishte jashtë kontrollit, do të na kishin sulmuar! Turqia: Një raketë iraniane drejt nesh u rrëzua nga mbrojtja e NATO-s! Media amerikane: Ka nisur një ofensivë tokësore nga mijëra kurdë në Iran