Të përflasësh Parashqevinë

Të përflasësh Parashqevinë

Parashqevi Simaku

Lajm i fundjavës u bë videoja që tregonte një grua në një qendër sociale në ShBA. Dikush tha se gruaja qënkesh Parashqevi Simaku dhe kjo maftoi që videoja të bëhej virale e të ngjallte reagime të shumta, që u derdhën lumë në gjithë hapsirën mediatike, duke nisur nga fejsbuku e instagrami, duke vazhduar me portalet e duke përfunduar te gazeta e televizione me emër.

Mund të thuash se orët e para gjithë ky rrëmet reagimesh mbështetej mbi një hamendje përderisa askush nuk mund të thoshte me siguri se gruaja në video ishte këngëtarja e njohur. Rrjedhimisht, më shumë se me ligjërime për Parashqevinë patëm të bënim me përfolje të saj. Diku nga fundi i ditës së parë një zonjë postoi një video ku bëhej e qartë se gruaja e përfolur ishte vetë këngëtarja jonë e shquar.

Nëse arrin të lesh mënjanë anën etike (si mund të përflasësh dikë, qoftë edhe për disa orë, pa qenë i sigurt se ke të bësh me të), pyetja e dytë që të del përpara është: si shpjegohet  ky trazim mediatik kaq masiv, thuajse kombëtar?  Për më tepër se gjen në të thuajse gjithë spektrin e ndjenjave duke nisur nga dashuri, simpati, vlerësim për këngëtaren e dikurshme, duke vazhduar me keqardhje, mëshirë, nosalgji e empati për gruan e sotme që jeton me ndihma dhe duke përfunduar me keqdashje, përgojime, mëri e hakmarrje.

U tha se këngëtarja është divorcuar para dy dekadash nga i shoqi, i cili pat fituar të drejtën e kujdestarisë për fëmijën e vogël, sot djalosh në të njëzetat. U tha se më vonë, për fatin e saj të zi paska pësuar një goditje celebrale që nuk ka kaluar pa pasoja në shëndetin mendor. Fatkeqsi të tilla ngjallin keqardhje e mëshirë edhe kur u ndodhin njerzve të rëndomtë e të panjohur, jo më kur godasin një artiste klasi që e ke ndjekur e pëlqyer. Në rastin e këngëtares vepron edhe nostalgjia si ndjenjë e lidhur fort me muzikën që ke dëgjuar dikur. Por krahas nostalgjisë aktivizohet edhe empatia ngaqë të gjithë, kush më shumë e kush më pak kemi rropatje, pësime e dështime ndaj priremi të projektojmë veten tek fatkeqi, të hyjmë në lëkurën e tij. Kur fatkeqi është njeri dikur i shquar, prirja për të projektuar veten tek ai është më ngasëse e më ngushëlluese.

Nëse ndjek sado përciptaz reagimet në rrjet, dallon pa shumë vështirësi se rikthimi aksidental i Parashqevisë në ligjërimin publik u nxit në jo pak raste edhe nga motive negtive si keqdashje, mëri e hakmarrje. Shumëkush nuk ia fal dot faktin që këngëtarja shkëputi çdo lidhje me atdheun, madje shqipen nuk para e përdorte edhe kur e binte hera të bisedonte me shqiptarë. Braktisja e gjuhës dhe e identitetit shqiptar, që është edhe identiteti yt, nga shumëkush dhe sidomos nga njerëz vulnerabël, konceptohet si mëndjeshkurtësi madje edhe si tradhëti që meriton dënim e përgojim publik.

Qasjet negative në rastin e këngëtares duket sikur burojnë vetëm nga gjëra parimore: qendrimi ndaj gjuhës amtare e ndaj identitetit shqiptar, por thellë thellë lidhen me përjetime vetiake. Parashqevi Simaku synoi suksesin, famën e mirëqenien amerikane, por përfundoi në një dështim të plotë. Nuk janë të paktë njerëzit që diku thellë vetes, në kufijtë mes vetdijes dhe pavetdijes, përjetojnë ndjenja pasigurie, frike e dështimi vetiak dhe një nga mjetet për t’i luftuar këto ndjenja është të përgojojnë dështimin e të famshmit, ngaqë kështu ndjejnë një lloj qetësimi.

Parë në një rrafsh disi formal rishfaqja e beftë Parashqevisë në ligjërimin publik mori jetë edhe ngaqë kemi të bëjmë me një narrativë të strukturuar mbi një model të gjithkohshëm. Është subjekti i Hirushes a Maro Përhiturës, i kthyer kokëposhtë: transformim nga shërbëtore në princeshë, po kësaj here në të kundërtën, nga princeshë në shërbëtore. Të dyja këto kahje kanë ekzistuar si modele narrative universale dhe kanë qenë e mbeten shumë të pëlqyera, mjafton të kujtojmë se ka vepra ku të dyja ekzistojnë e shtjellohen bashkë, si psh tek ‘Princi dhe i varfëri’ i Mark Tuenit. Nuk është mbase e rastit që kjo novelë për fëmijë e Tuenit, megjithëse nuk numërohet në kryeveprat e tij, ka qenë dhe mbetet shumë lakmuar për t’u përshtatur e ripërshtatur në versione nga më të ndryshmet për skenën, ekranin e madh e të vogël, libra me figura, muzikale e deri tek videolojë.

Trazimi publik i kësaj fundjave për fatin e Parashqevi Simakut, sadoqë kakofonik, i zhurmshëm e i nxitur prej një morie motivesh shpesh edhe të kundërta, dëshmoi një gjë të rëndësishme: të lodhur e të mërzitur nga panairi i kotësive që na shfaqet çdo ditë i tejmbushur me politikanë të korruptuar, kriminelë e sharlatanë ekranesh, mbetemi të etur për personalitete e vlera që, qoftë edhe me fatkeqësinë e tyre, na nxisin ta ndjejmë veten pjesë e një bashkësie.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja