Organizata per dhurimin vullnetar te gjakut, foto Zina Tosku
TIRANË, 12 shkurt/ATSH-Z.Tosku/- Në selinë e Partisë Socialiste është organizuar sot dhurimi vullnetar i gjakut për fëmijët që vuajnë nga talasemia.
Koordinatorja për dhurimin e gjakut vullnetar, Xhulieta Muçollari u shpreh për ATSH-në se "të rinjtë e Partisë Socialiste, por jo vetëm ata, kanë tre vjet që dhurojnë gjak në mënyrë vullnetare. Vitin e kaluar rreth 68 % e dhuruesve janë dhurues familjarë, 22 % janë dhurues vullnetarë dhe 10 % janë dhurues me pagesë".
Gjatë bisedës me të rinjtë, të cilët ishin të pranishëm dhe dhuronin gjak në mënyrë vullnetare, Vezuela Sanxhaku, një ndër dhurueset më të rregullta, shprehu gatishmerine e saj për t'i ardhur në ndihmë fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.
"Unë kam tre vjet që dhuroj gjak dhe tashmë është bërë një traditë, e cila më fal shumë lumturi, pasi të japësh 300 ml gjak është pak për mua dhe është shumë për ata fëmijë që vuajnë nga sëmundje si talasemia.
Nëpërmjet gjakut, mund t'i japësh jetë dikujt që ka nevojë, ndaj une i bëj thirrje çdo të riu dhe të reje që të dhurojë gjak për një herë të vetme dhe do ta kuptojë se sa e rëndësishme mund të jetë ajo qese e vogel me gjak për një fëmijë që ka nevojë për të jetuar", u shpreh Sanxhaku.
Ndërkaq, Muçollari tha se "ka ende nevojë që qytetarët të ndërgjegjësohen për të dhuruar gjak".
Gjithashtu, organizata shqiptare për dhurimin e gjakut vullnetarë, bën thirrje që të gjithë qytetarët që duan të dhurojnë gjak, mund të dhurojnë ditën e sotme, nga ora16:30-19:00 në mjediset e kësaj organizate. Në Shqipëri 600 fëmijë janë të prekur nga talasemia. /a.ke/










