Klevio është vetëm 14 vjeç, por telefoni është tashmë pjesë e pandashme e përditshmërisë së tij. Lojërat, videot dhe komunikimi me shokët e mbajnë për disa orë çdo ditë përpara ekranit.

 “Lojëra, YouTube, më shumë shoh video dhe përdor Snapchat-in”, thotë Klevio.

Por koha e kaluar përpara ekranit nuk ndikon vetëm në mënyrën se si adoleshentët kalojnë kohën e lirë. Sipas mësuesve, përdorimi i teknologjisë po reflektohet edhe me vështirësi në procesin e të nxënit.

“Fëmija që ka qejf të lexojë, të shkruajë, merret më shumë me librin dhe lexon më shumë. Të tjerët leximin e konsiderojnë nëpërmjet telefonit. Edukimi letrar nuk vjen nëpërmjet telefonit është libri, baza kryesore”, thotë Enkela Mezini - ish mësuese.

Rënia e rezultateve në lexim u evidentua edhe në testimin ndërkombëtar PISA, ku morën pjesë 91 shtete. Sipas rezultateve për 15-vjeçarët, leximi shënoi rënien më të madhe, me një ulje prej 28 pikësh në vendet anëtare të OECD-së, krahasuar me vitin 2015.

Ekspertët e OECD e lidhin këtë ndryshim me mënyrën se si teknologjia po ndryshon raportin e të rinjve me informacionin. Në veçanti, përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale u jep nxënësve mundësinë ta marrin informacionin të gatshëm, pa kaluar gjithmonë përmes procesit të kërkimit, leximit dhe përpunimit të tij.

Prindërit thonë se kontrolli i kohës që fëmijët kalojnë në telefon apo pajisje të tjera elektronike është gjithnjë e më i vështirë.

“Nuk është i lehtë se ne vet ua ngjitëm, por tani është shumë vështirë t’ua heqim. Unë i kam të dy fëmijët me telefon edhe po bëjmë “luftë”, t’ua heqim. Me këto programet, me orare. Po prapë, janë aq të zgjuar sa kanë mënyrën si ta heqin. Prapë na ka dalë jashtë kontrollit” u shpreh një prind.

“Shumë e vështirë është të drejtën” u shpreh një tjetër.

Por sfida nis shumë më herët. Ekspertët e shohin përdorimin e hershëm dhe të pakontrolluar të ekraneve edhe si një shqetësim për zhvillimin e fëmijëve që në moshë të vogël.

“Atëherë ne kemi shumë raste. Pjesa më e madhe e rasteve që na vijnë lidhen me vonesat gjuhësore, vonesat në të folur dhe zakonisht fillojnë nga mosha dy vjeç e gjysmë dhe vazhdojnë për fat të keq deri në moshën pesëvjeçare.

Nëse një fëmijë nuk arrin të marri bazën që janë: imitimi, dialogu, ndërveprimi social mes fëmijëve të tjerë, sigurisht që i ndikon” thotë Eda Dervishi, logopede.

Për fëmijët më të vegjël, Logopedia Eda Dervishi rekomandon shmangien e ekraneve gjatë vitit të parë të jetës.

“Nga mosha zero deri në një vjeç, fëmija nuk duhet të ketë fare në kontakt me  mjetet celularë. Pastaj nga mosha 2-3 vjeç është mund të shohë diku te 20 minuta, por nën kontrollin e prindit. Gjithmonë duhet të jetë prindi shoqërues dhe në fund duhet t'i bëjnë pyetje çfarë pe? çfarë kuptove Domethënë pyetje të tilla që fëmijën ta stimulojnë”, shprehet ajo.

Debati për përdorimin e teknologjisë nga fëmijët nuk është vetëm në vendin tonë. Në Europë po diskutohen masa të reja për t'i mbrojtur të miturit nga rreziqet online.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur një plan për sigurinë e fëmijëve në internet, ku propozohet edhe kufizimi i aksesit në mediat sociale për fëmijët nën 13 vjeç.

Sipas propozimit europian, për moshat 13 deri në 15 vjeç përdorimi i llogarive në rrjetet sociale do të jetë nën kontrollin prindëror. Propozimi duhet ende të negociohet me vendet anëtare dhe Parlamentin Europian përpara se të kthehet në ligj.