Juglindja e vendit është e bllokuar prej mbi 7 ditësh duke izoluar nga qendra me qindra dhe mijëra banorë. Shqetësimet mbi këtë izolim janë në rritje veçanërisht sa i përket banorëve të sëmurë që duhet të marrin shërbim në spitale rajonale. Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas ka detyruar shumë syresh që të gjejnë rrugë alternative për të udhëtuar drejt spitalit rajonal të Elbasanit me kosto më të larta dhe orë më të gjata. I tillë është rasti i Ashim Bogdanit i cili gjatë një interviste me emisionin Sot Live në Shqipëri në Report TV rrëfeu vështirësitë e tij për të pasur akses në shërbime mjekësore dhe për të kryer dializën tre herë në javë.
“Ne shkojmë 3 herë në javë për dializën. Tani që është bllokuar rruga, na kushton shumë udhëtimi. Ne kalojmë rrugës nga Dardha, malit përpjetë dhe dalim në Dragostunjë. Ngrihemi që në 4 të mëngjesit dhe arrijmë në 8:30 në Elbasan. Dalim në orën 11 dhe arrijmë në orën 3:30. Të gjitha me shpenzimet tona. Jemi rreth 5 veta këtu. Një e kemi me paterica, një në karrocë. Mezi qëndrojmë! Të gjithë kalojnë përmes malit, nuk ka rrugë tjetër. Ne na duhen mbi 5000 lekë në ditë vetëm që të shkojmë e të kthehemi nga Elbasani, pra 15 mijë lekë në javë. Jemi me borxhe. Unë isha tek bashkia në Përrenjas, kryetari nuk ishte aty. Jemi me forcat tona. Çmimet e transportit janë rritur me 300 lek. Na kanë dhënë një bonus prej 1700 Lek që do ta marrim javën që vjen por nga bashkia nuk kemi asnjë lloj transport. Çdo gjë e bëjmë me forcat tona ” tha Bogdani.
Miranda Rira, ish kryetare e Bashkisë së Prrenjasit hodhi kriika ndaj Autoritetit Rrugor Shqiptar për alternativat, sipas saj, ‘qesharake’ që u dha banorëve të Prrenjasit. Ajo paralajmëroi se rasti më i mirë për zgjidhjen e këtij problemi madhor të infrastrukturës do të kërkojë 1 vit.
“Alternativat e ARRSH-së ishin qesharake sepse në ditët e dyta dhe të treta, thonin që qytetarët e Prrenjasit t’i bien nga Përmeti, Tepelena dhe ata nga Korça t’i bien nga Moglica e Gramshi. ARRSH nuk e kupton që njerëzit nuk lëvizin për qejf. Ata kanë probleme dhe halle . Janë të sëmurë njerëzit dhe duhet të shkojnë patjetër në spital. Bashkia Prrenjas i përket qarkut të Elbasanit dhe shumica e shërbimeve janë këtu, ndaj nevoja për të lëvizur është ekzistenciale. Rasti më i mirë është që do të duhet 6 muaj deri në 1 vit deri sa të rregullohet situata. Ka një llojë lënie në mëshirë të fatit të këtyre banorëve. Këta pacientë me dializë që e kryejnë në Elbasan duhet të transferohen në Korçë dhe këtë duhet ta bëjë Ministria e Shëndetësisë me spitalet rajonale. Është me lehtë të shkojnë në Pogradec se sa në Elbasan" tha ajo.
Rira kritikoi firmën zbatuese të projektit ANK duke akuzuar për mungesën e gjeologëve dhe inxhinierëve autoritetet që sipas saj akoma nuk kanë dhënë përgjigje për dy pyetje kryesore.
“Përse u shemb rruga? A ishte kryer një shërbim gjeologjik i kësaj rruge? Edhe një gazetare shumë e mirë e televizionit tuaj i pyeti autoritetet nëse është bërë një studim paraprak gjeologjik dhe e vërteta është se nuk është bërë një i tillë. Po të ishte bërë do të ishte matur. Prej vitesh në Shkumbin gëlojnë makineritë e rënda, kamionë që mbushen me zhavorr. Nuk është vetëm Salillari që ka një leje. Ka 35 vjet por në 10 vitet e fundit kam parë kamionë që kanë ndryshuar të gjithë rrjedhën e lumit. Është bërë një kasaphanë që nuk e di sa do jetë fatura për ta rikthyer. Le të mos flasim pastaj për 50 milionë eurot që ka marrë firma ANK shpk, bashkë me vëllezërit Kola që janë marrë me këto punime. Përpara se këto firma të merrnin projektin në zbatim bëhet tenderimi nga ARRSH. Pra për projektimin e rrugës është zgjedhur firma ANK. Firma nuk ka pasur gjeologë. Nuk ka pasur inxhinierë gjeodetë që të përcaktonin sa janë ujërat nëntokësore, a ka rrezikshmëri, a ka bazament. Fakti tregoi që nuk ka pasur dhe nuk janë bërë studime të tilla. Drejtori i ARRSH-së thotë mufka ‘jo po mali pi ujë’ e ‘jo po ka patur reshje’ por e vërterta është që nuk është bërë studimi atëherë kur duhej” tha ajo.
Rira tha se shembja e aksit të rëndësishëm nuk erdhi nga nëna natyrë dhe bëri thirrje që autorët e kasaphanës të dali para drejtësisë
“Është e tmerrshme që rrugët e Shqipërisë po bien e po shemben njëra pas tjetrës. Aq më tepër që firma ndërtuese që ka bërë këtë aks të Korridorit të VIII, ANK shpk, janë të njëjtët që ndërtuan rrugën Korçë Ersekë që u shemb para dy vitesh. Si ka mundësi kjo firmë ndërtimi ndërton rrugë dhe askush nuk mban përgjegjësi në këtë vend. Duhet që autorët e kësaj kasaphane të vihen para përgjegjësisë. Të mos ia lëmë fajin nënës natyrë dhe reshjeve. Zona është kodrinore nuk ka pasur asnjëherë përmbytje. Rruga që u ndërtua nga firma maqedonase ka qenë e sigurtë. Ky rast është vetëm qelbi i një korrupsioni galopant i një qeverie që bën rrugë të florinjta që shëmben njëra pas tjetrës. Kush do të mbajë përgjegjësi?" tha ajo.
Komente












