Tre të rinj u plagosën me pistoletë nga një person mbrëmjen e sotme në një lokal të lagjes 'Vullnetar" në Elbasan.

Kamarieri Bjorgi Hoxha 19 vjeç, Armand Tomorrica 32 vjeç dhe Renaldo Mance 31 vjeç tashmë ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha. Njëri prej tyre është plagosur në shpatull, ndërsa një tjetër plumbi e ka kapur në këmbë. 

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Nga qëmtimi i vendit të ngjarjes deri tani blutë kanë arritur të zbulojnë 6 gëzhoja.

Njoftimi i policisë: 

Rreth orës 20:30, në lagjen "Vullnetari", Elbasan, në verandën e një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të tre shtetasve: A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç, dhe B. H., 19 vjeç, të cilët janë  plagosur,  jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit për identifikimin dhe kapjen e autorit.