LAÇ - Një 40-vjeçar u vra mbrëmjen e sotme në lagjen Erdogan të Laçit me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar. Ilir Gjini, i cili u qëllua me breshëri plumbash teksa po hynte në banesë, njihej edhe si Ilir Lika, alias Kokaj, alias Nure. Dyshohet se autorët e kanë ndjekur viktimën deri në momentin kur e qëlluan.

Ai ndërroi jetë gjatë transportimit në spital pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra nga atentati në drejtim të tij.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit ose autorëve, si dhe dokumentimin e shkakut të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Njoftimi i plotë i policisë: 

Rreth orës 22:10, në qytetin e Kurbinit, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit I.Gj alias I. L., alias I.K, alias I. N,  rreth 40 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por ka humbur jetën gjatë transportimit.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.