Të paktën 13 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sulmi brenda stacionit Sunset Park të metrosë së Nju Jorkut. Paraprakisht raportohet se një person ka qëlluar në stacionin e metrosë në Bruklin, ku u gjetën edhe lëndë plasëse të pashpërthyera. 

Personi i dyshuar, me maskë gazi, ishte i veshur si një punonjës i Autoritetit të Transportit Metropolitan dhe kjo e lejoi atë të përzihej me turmën dhe të arratisej. Në kërkim të tij janë edhe agjentë të antiterrorizmit.

Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë pasagjerë të gjakosur të shtrirë në dyshemenë e stacionit. Zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që të qëndrojnë larg zonës ku ka ndodhur sulmi.

Për momentin nuk jepen të tjera detaje për ngjarjen, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet.