Një festë tekno në një qytet në veri të Zvicrës u kthye në tragjedi në orët e para të kësaj të diele, pasi një 22-vjeçare u vra nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa pesë persona të tjerë mbetën të plagosur. Autori është në arrati dhe policia ka nisur një operacion të gjerë për ta gjetur.
Ngjarja ndodhi në Aarau, në një aktivitet të organizuar në pistën e garave me kuaj. Viktima humbi jetën në vendngjarje, ndërsa katër burra dhe një grua, të moshës 24-27 vjeç, u dërguan në spital me plagë që variojnë nga të lehta deri në të rënda.
Policia tha se ende nuk dihet kush është autori dhe cili ka qenë motivi i sulmit. Edhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten nën hetim. Sipas mediave lokale, alarmi për të shtënat u dha rreth orës 02:30.
DJ zviceran Tekibo, i cili po performonte në aktivitet, shkroi në Instagram se kishte humbur një mik në këtë ngjarje dhe se ishte ende duke u përpjekur të kuptonte atë që kishte ndodhur.
Organizatorët e aktivitetit thanë se festa u "errësua nga një incident i rëndë", ndërsa falënderuan ekipet e emergjencës për reagimin. Në rave pritej të merrnin pjesë deri në 3.500 persona.
Zona përreth vendit të ngjarjes është rrethuar nga policia, ndërsa dëshmitarëve u është kërkuar të dorëzojnë foto dhe video që mund të ndihmojnë hetimin. Në operacion janë angazhuar forca të shumta policie, mjete të blinduara dhe një helikopter i Ushtrisë Zvicerane.







Komente
Komento