Një atentat mbrëmjen e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës kishte nën shënjestër Thimjo Rubatin, i cili mbeti i plagosur.

50-vjeçari, i njohur edhe me emrin Sandri Rubati, u qëllua me 3 plumba para biznesit të tij nga dy persona të maskuar me skafandra që u larguan me motor. 

Emri i tij nuk është i panjohur për policinë pasi në vitin 2002 është arrestuar për trafikim minorenësh ndërsa në vitin 2012 për rrëmbimin e një 16-vjeçareje.

Rubati është transportuar me urgjencë drejt Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë veprimet e para hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri  para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Lajm në përditësim...