Të shtëna me armë, panik dhe rrëmujë. Ajo që duhet të kishte qenë një festë me përfaqësuesit e medias ku për herë të parë merrte pjesë dhe presidenti Donald Trump, u shndërrua në një makth.
Një person, i identifikuar si Cole Thomas Allen, hapi zjarr në hollin e hotelit Hilton në Uashington, D.C., ku po mbahej darka për korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan, së bashku me gruan e tij Melania, u evakuuan shpejt në një vend të sigurt, e po ashtu dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance.
Agresori, një 31-vjeçar nga Kalifornia, u neutralizua nga forcat e rendit. Sipas CBS News, ai deklaroi se synonte të qëllonte "zyrtarët qeveritarë". Një roje sigurie u plagos lehtë gjatë të shtënave, por e mbrojti jeleku i sigurisë. Ai u trajtua në spital dhe doli më pas.
Të ftuarit u fshehën poshtë tavolinave, ndërsa vetëm pak më pas, Trump postoi në Truth Social se autori i të shtënave ishte “kapur”.
“Kam rekomanduar që ‘ta vazhdojmë shfaqjen’, por do të udhëhiqem plotësisht nga forcat e rendit. Pavarësisht këtij vendimi, mbrëmja do të jetë shumë ndryshe nga sa ishte planifikuar dhe thjesht do të na duhet ta bëjmë përsëri”, shkroi ai, ndërsa më vonë u tha se do të planifikohej sërish pas 30 ditësh.
Në fillim ai nuk ishte i sigurt nëse zhurma ishte një tabaka që ra apo një plumb, tha presidenti.
“Shpresoja që të ishte një tabaka, por nuk ishte.”
Trump krahasoi rreziqet e profesionit të presidentit me profesione të tjera, përfshirë garat me makina dhe ndeshjet me dem, duke vënë në dukje se rreth 5.8% e presidentëve amerikanë janë qëlluar.
“Vështirë të përfytyrosh profesione më të rrezikshme", tha ai, duke shtuar se të qenit drejtues do të thotë se duhet “të marrësh rreziqe”.
Ai u pyet se si ky incident do të ndikojë tek ai si lider.
“Preferoj të mos mendoj për këtë,” u përgjigj ai. “Unë bëj një jetë mjaft normale duke marrë parasysh gjithçka, është një jetë e rrezikshme. Mendoj se e menaxhoj sa më mirë që mund të menaxhohet.”
Presidenti shtoi se edhe Zonja e Parë e kupton rrezikun e këtij posti dhe se është e rrezikshme edhe për të. Më herët, Trump tha se ngjarja ishte traumatike për Melanian.
Trump e përshkroi autorin si ujk të vetmuar dhe se qëllimi i tij ishte "të vriste." Autorit iu gjetën armë zjarri dhe thika.
Lajm në përditësim...
Shërbimet Sekrete në SHBA kanë reaguar pas sulmit të ndodhur gjatë një eventi ku ishte i pranishëm presidenti amerikan Donald Trump, duke theksuar se ndërhyrja e shpejtë e agjentëve shmangu një situatë që mund të ishte edhe më e rëndë.
Në një deklaratë zyrtare, zëvendësdrejtori Matthew Quinn e cilësoi të dyshuarin një frikacak që "nënvlerësoi' kapacitetet e Shërbimit Sekret.
“Sonte, një frikacak u përpoq të shkaktojë një tragjedi kombëtare. Ai nënvlerësoi kapacitetet mbrojtëse të Shërbimit Sekret të SHBA-së dhe u ndal në kontaktin e parë. Forca e sistemit tonë të sigurisë me shumë shtresa ishte e dukshme, ndërsa një sërë masash të tjera mbrojtëse ishin ende në dispozicion. Jemi mirënjohës për burrat dhe gratë e guximshme të Shërbimit Sekret dhe partnerët tanë në zbatimin e ligjit,” thuhet në deklaratë.
Sipas Quinn, sistemi i sigurisë funksionoi sipas planit, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe duke garantuar sigurinë e të pranishmëve.
Statement from Deputy Director Matthew Quinn on the shooting incident at the Ëhite House Correspondents' Dinner. pic.twitter.com/Oj33qLvokw
— U.S. Secret Service Office of Communications (@SecretSvcSpox) April 26, 2026

Udhëheqës nga e gjithë bota kanë reaguar ndaj një të shtënë me armë në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Kryeministri kanadez Mark Carney thotë se është “i lehtësuar” që Presidenti Trump dhe zonja e parë, së bashku me të pranishmit, janë të sigurt. Ai shton: “Mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë tronditur nga ky incident shqetësues”.
Homologu i tij australian, Anthony Albanese, gjithashtu thotë se është “i lumtur të dëgjojë” se të pranishmit në vendngjarje janë të sigurt. “Ne vlerësojmë punën e Shërbimit Sekret dhe të forcave të rendit,” shton ai.
Kaja Kallas, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, shpreh mbështetjen e saj për presidentin amerikan, zonjën e parë dhe të gjithë pjesëmarrësit, duke shtuar se “dhuna politike nuk ka vend në demokraci”.
Kryeministri britanik Keir Starmer thotë se “çdo sulm ndaj institucioneve demokratike ose lirisë së shtypit duhet të ndëshkohen në format më të fuqishme.”
Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, “dënon fuqishëm tentativën e sulmit” dhe shpreh “urimet më të mira” për të pranishmit që ndodheshin në vendngjarje.
Shehbaz Sharif, kryeministri i Pakistanit, thotë se është “thellësisht i tronditur” nga të shtënat dhe i përcjell “mendimet dhe lutjet” e tij Trumpit.
Kryeministri i Indisë Narendra Modi thotë se dërgon “urimet më të mira për sigurinë dhe mirëqenien e tyre të vazhdueshme” për presidentin, zonjën e parë dhe zëvendëspresidentin.
“Ne përcjellim respektin tonë,” thotë presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum, duke shtuar se “dhuna s’duhet kurrë të jetë rrugë”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai dhe gruaja e tij, Sara, ishin "të tronditur" nga atentati ndaj Presidentit të SHBA-së Donald Trump, gjatë një darke me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë.
"Unë dhe Sara u tronditëm nga tentativa për atentat ndaj Presidentit Donald Trump në Uashington. Jemi të lehtësuar që Presidenti dhe zonja e parë (Melania Trump) janë të sigurt dhe të fortë. I dërgojmë urimet tona më të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë oficerit të plagosur të Policisë dhe përgëzojmë Shërbimit Sekret të SHBA-së për veprimin e tyre të shpejtë dhe vendimtar", shkroi Netanyahu në një mesazh të publikuar në rrjetin social ‘X’.
Personi i dyshuar si autori i sulmit me armë zjarri në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë disa orë më parë është identifikuar si Cole Tomas Allen, sipas mediave amerikane.
31-vjeçari raportohet se është nga Torrance, Kaliforni, periferi jugperëndimore e Los Anxhelosit.
Sipas mediave, Allen ka punuar si mësues në Torrance pasi u diplomua në Institutin e Teknologjisë së Kalifornisë, një universitet shumë i njohur.
Policia thotë se ai ishte i ftuar në hotelin Washington Hilton, ku po zhvillohej darka, dhe se mbante me vete disa armë, përfshirë pistoleta dhe thika.
Allen po merr trajtim mjekësor në spital pas incidentit. Ai pritet të akuzohet zyrtarisht të hënën.
Sipas CNN, siguria në këtë event ishte e një niveli të thuajse një takimi të sigurisë kombëtare. Mediat kanë publikuar momentin kur ai është neutrealizuar dhe arrestuar, i shtrirë në tokë, pa bluzë dhe i prangosur.


Sulmi me armë në darkën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë ndodhi në hotelin Washington Hilton në Connecticut Avenue, i njëjti ku Ronald Reagan u qëllua dhe u plagos në vitin 1981.
Sulmi ndodhi më 30 mars 1981, kur autori, John Hinckley Jr., qëlloi ndaj Reaganit ndërsa ai po shkonte drejt limuzinës së tij pas një aktiviteti brenda hotelit.
Reagan mbijetoi, por u plagos rëndë nga një plumb që bëri rikoshet nga limuzina presidenciale dhe e goditi në trup, duke i thyer një brinjë dhe duke i dëmtuar mushkërinë. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin George Washington University Hospital nga ku doli më 11 prill.
Sekretari i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë, James Brady, u plagos në të njëjtin sulm, së bashku me një agjent të Shërbimit Sekret dhe një oficer të Policisë Metropolitane të Uashingtonit
Brady pësoi dëmtime në tru gjatë incidentit dhe mbeti me aftësi të kufizuara për pjesën tjetër të jetës. Lëndimet e tij e shoqëruan gjatë gjithë jetës dhe kontribuuan në vdekjen e tij në vitin 2014.
Vit më vonë, Hinckley u shpall i pafajshëm për shkak të çrregullimit mendor, por u mbajt në një seksion me siguri të lartë të spitalit St. Elizabeths Hospital deri sa u lirua në vitin 2016.
Një pllakë përkujtimore ende shënon vendin e të shtënave në anën e hotelit.

Trump tha se ishte gati të mbante fjalimin e tij në darken e gazetarëve para se të fillonin të shtënat.
“Unë isha gati të isha shumë i ashpër, dhe u thashë njerëzve të mi: ‘ky do të ishte fjalimi më i papërshtatshëm ndonjëherë’ nëse do ta kisha mbajtur,” tha ai. Por shtoi: “Nuk e di nëse mund të jem ndonjëherë aq i ashpër sa do të isha sonte.”
Për fjalimin në eventin e riplanifikuar pas 30 ditësh, ai tha: “Do të jem ndoshta shumë i sjellshëm. Do të jem pak i mërzitshëm herën tjetër, por do të kemi një event të shkëlqyer.”
Presidenti u shpreh se ekipi i tij nuk kishte dijeni për ndonjë kërcënim para ngjarjes.
“Nuk pati asnjë njoftim,” tha ai kur u pyet nëse kishte sinjale paraprake.
Trump shtoi se nuk e di motivin, por përmendi se i dyshuari “duket mjaft i keq”. Ndërkohë, autoritetet ndodhen në apartamentin e 31-vjeçarit.

Trump është shprehur tha se bazuar në informacionet e deritanishme, nuk mendon se të shtënat në darkën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë lidhen me luftën në Iran, por shtoi se veprimet e tij ndaj Teheranit mund ta kenë kthyer në objektiv dhe nuk do të tërhiqet.
“Kur bën gjëra të tilla, bëhesh objektiv. Nëse nuk do t’i bëja ato, ndoshta do të isha shumë më pak objektiv, por jam i nderuar që jam,” u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Kjo nuk do të më ndalojë të fitoj luftën në Iran. Nuk e di nëse kishte ndonjë lidhje me këtë, me të vërtetë nuk mendoj kështu bazuar në atë që dimë.”
Presidenti solli në vëmendje se kjo nuk është hera e parë në dy vitet e fundit që një republikan është sulmuar nga një “vrasës i mundshëm”.
Ai përmendi dy raste kur dikush ka tentuar ta vrasë para se të rizgjidhej president, përfshirë një tubim në Butler, Pensilvani, dhe një tjetër rast kur Trump po luante golf në Palm Beach, Florida.
Presidenti Donald Trump ka publikuar në rrjetet sociale një foto të autorit të dyshuar pas të shtënave dhe pamje nga kamerat e sigurisë që duket se tregojnë fillimin e tyre.
Ai u shpreh se i shpërndau ato në interes të transparencës. Trump tha se i dyshuari, i cili është marrë arrestuar, ishte “një person shumë i sëmurë”.
“Ne nuk duam që të ndodhin të tilla gjëra”, thaë ai.
Jeffrey Carroll, shefi i policisë së DC, tha se hetuesit besojnë që i dyshuari Cole Tomas Allen ka qëlluar dhe ishte i armatosur me një armë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Ai gjithashtu tha se i dyshuari 31-vjeçar nga Kalifornia besohet të ketë qenë klient në hotelin ku po mbahej eventi. Motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur, sipas zyrtarëve.
Jeanine Pirro, prokurore federale për Distriktin e Kolumbisë, tha se i pandehuri përballet me dy akuza për armë zjarri dhe sulm dhe do të dalë para gjykatës të hënën. Pritet që të ngrihen edhe akuza të tjera.

Komente










asnje plumb nuk eshte shtene...sajojne histori kot...
PërgjigjuAkoma ka njerez qe I besojn keto inskenime per shtim pikesh ne sondazhe
PërgjigjuPer pak, per pak.
PërgjigjuBravo djemt e simon zarecit qe shpetuan trumpin
Përgjigju