Një 18-vjeçar, i identifikuar si Payton Gendron është autori i dyshuar i vrasjes së 10 personave në një supermarket në Buffalo, New York. Policia thotë se ai udhëtoi më shumë se 320 km për të kryer krimin që po hetohet si akt ekstremizmi me motive racore. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme.
Kryebashkiaku i Buffalo, Byron Brown tha se i dyshuari mbërriti me qëllim që të merrte jetën e njerëzve me ngjyrë. Emri i tij nuk ishte i panjohur për autoritetet amerikane.
Gendron kishte kërcënuar më parë me të shtëna në shkollën e tij të mesme në qershorin e kaluar dhe më pas iu nënshtrua një ekzaminimi të shëndetit mendor. Policia tha se i dyshuari kishte parë nga afër zonën një ditë para të shtënave.
"Kjo ngjarje u krye nga një individ i sëmurë, i çmendur, i cili u ushqye me urrejtje," tha Prokurorja e Përgjithshme e New Yorkut Letitia James.
Të shtënat kanë habitur të gjithë banorët e zonës. Nga 13 personat e qëlluar, policia tha se 11 ishin me ngjyrë. Në mesin e të vrarëve ishte një burrë që po blinte ëmbëlsira për ditëlindjen e djalit të tij dhe një grua që kishte shkuar për të bërë pazar pasi kishte vizituar burrin e saj në një shtëpi pleqsh.